Notarët e Kosovës kanë përfunduar të dielën garat në Kampionatin Botëror në pishinë me gjatësi prej 25 metrash, në Budapest.
Riga Shala dhe Arion Budima garuan në 200 metra stil të lirë.
Riga Shala kishte kohë prej 2:12.27 minuta dhe u rendit e 39-ta, përkatësisht e parafundit prej notareve që përfunduan garën kualifikuese. Prapa mbeti vetëm një notare nga Panamaja. Koha e fundit te notaret që siguroi kualifikimin tutje ishte 1:54.29 minuta.
Arion Budima u rendit i 63-ti me kohë prej 1:57.49 minuta. Prapa i la pesë notarë nga vende si Madagaskari, Nepali, Brunei, Ruanda e Togo. Për avancim në finale është dashur kohë dukshëm më e shpejtë, 1:42.84 minuta.
“Rezultatet janë larg pritshmërive, por shërbejnë si motivim për punë më të madhe dhe përgatitje më të mirë në të ardhmen”, ka shkruar Federata e Notit e Kosovës.