Sporte të tjera

Futsall, Shqipëria pëson humbje të thellë nga Armenia

Shqipëria pëson humbje të thellë nga Armenia në Futsall

Shqipëria është mposhtur 5:1 nga Armenia në kualifikimet e futsallit për “Euro 2026”. 

“Kuqezinjtë” të mërkurën mbrëma në “Tirana Olimpik Park” e pësuan disfatën e tretë në këtë cikël kualifikues, ndërsa e kanë një fitore. 

Armenët i prijnë Grupit 6 me 10 pikë nga katër ndeshje, tri më shumë se Kazakistani. 

Shqipëria dhe Danimarka i kanë nga tri pikë. 

Shqipëria fitoren e arriti ndaj danezëve në udhëtim, 4:3, ndërsa është mposhtur nga Kazakistani 2:0, dhe më pas në dy ndeshje nga Armenia, 4:0 dhe 5:1. 

Ermir Kryeziu që aktivizohet te Prishtina 01 e shënoi golin e vetëm për Shqipërinë, ndërsa Denis Nevedrov me “hat-trick” dhe Artur Melkonyan e Nikita Khoromykh me nga një shënim, ishin realizatorë të golave të fitores për mysafirët.

Ndeshjen e radhës, Shqipëria e zhvillon më 7 mars në udhëtim te Kazakistani, ndërsa kualifikimet i mbyll në shtëpi ndaj Danimarkës më 12 prill. 

Vendet e para të dhjetë grupeve e kalojnë fazën “Main Round”, ndërsa tetë vendet e dyta luajnë në plejof.