Adell Shaboviq është notari që prezanton Kosovën në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Vendimi është i World Aquatics, i miratuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Por Federata e Notit e Kosovës kundërshton vendimin që Shaboviq, që jeton në SHBA por ka prejardhje nga Kosova, të paraqitet në Olimpiadë për Kosovën. Sipas FNK-së, ai nuk plotëson kushtet e shumta, ndërsa në vend të tij duhet të jetë Mal Gashi.
FNK-ja ka paraqitur një listë të gjatë të kushteve, që sipas saj, nuk i plotëson Shaboviqi që të garojë për Kosovën.
Por qëndrim tjetër kishte FNK-ja në dhjetor të vitit të kaluar.
“Adell Sabovic është anëtar zyrtar i Federatës së Notit të Kosovës dhe ai do ta prezantojë FNK-në në garat e organizuara nga FNK-ja apo World e European Aquatics, nga 1 janari 2024, me vendim të Bordit Ekzekutiv të FNK-së të 23 dhjetorit 2023. Urime”, shkruan në letrën që mban firmën e presidentit të FNK-së, Agron Zeqiri e që i ishte dërguar notarit.
Kjo letër deri të enjten është mbajtur e fshehtë.
Federata Ndërkombëtare e Sporteve të Ujit ia ka dërguar Komitetit Olimpik të Kosovës si pjesë e shkëmbimeve të shumta.
Tashmë Shaboviqi e Hana Beiqi janë konfirmuar si pjesëmarrës të Kosovës në Parisi 2024, me ftesa.