Katër ndeshje të hendbollit janë të shtunën në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj. Ferizaj njihet si qytet i hendbollit, ndërsa në arenën që mban emrin e ish-presidentit amerikan do të zhvillohet turneu final i Kupës së Kosovës. Në turneun final zhvillohet gjysmëfinalet në të dy konkurrencat dhe finalet.
Te hendbollistët, vëmendja sa i takon gjysmëfinales do të jetë te ndeshja Kastrioti – Rahoveci. Kastrioti pritet ta ketë përkrahjen e shikuesve, ndërsa është fitues në fuqi i Kupës. Ndërkohë, Rahoveci është kampion në fuqi, derisa stinorin e rregullt në Superligë e përfundoi pa humbje të pësuar. E kishte vetëm një barazim, pikërisht ndaj Kastriotit.
Ndeshja Kastrioti – Rahoveci zhvillohet të shtunën prej orës 20:00. Është kjo gjysmëfinalja e fundit.
Në gjysmëfinalen e parë të hendbollistëve takohen Vushtrria e Besa Famgas. Kjo ndeshje zhvillohet prej orës 16:00, ndërsa Besa e Pejës nuk pritet të ketë telashe për të kaluar në finale.
Rahoveci mori një “goditje” në prag të gjysmëfinales së Kupës. Këtë javë “vreshtarët” u ndanë me hendbollistin kryesor, Egzon Gjuka. Gjuka është shpallur disa herë hendbollisti më i mirë i vitit në Kosovë.
Edhe pa Gjukën, Rahoveci e kërkon suksesin në Kupë. Por nuk do ta ketë lehtë ndaj Kastriotit.
“Jemi të motivuar maksimalisht për të dhënë më të mirën në turneun e Kupës së Kosovës. Kjo garë është e rëndësishme për ne dhe e shohim si një mundësi të madhe për të treguar kualitetin dhe forcën tonë si skuadër. Forma jonë e deritashme, ku nuk kemi pësuar asnjë humbje gjatë gjithë edicionit në Superligë, është dëshmi e përkushtimit dhe punës së palodhshme të ekipit, stafit dhe gjithë klubit. Kjo na jep dhe motiv shtesë për të synuar trofeun e Kupës”, ka thënë Mali Luzha, aloja e Rahovecit.
Rahoveci nuk e ka fituar ende Kupën e Kosovës. Skuadra më e suksesshme në garën për Kupë është Besa Famgas me plot 14 trofe. Kastrioti e ka fituar Kupën shtatë herë. Vushtrria, njëjtë si Rahoveci, është në kërkim të Kupës së parë.
Te Kastrioti presin përkrahje të madhe të shikuesve që fillimisht ta kalojnë Rahovecin e më pas edhe ta fitojnë finalen.
“Skuadra është në gjendje jashtëzakonisht të mirë fizike, e po ashtu në anën psikologjike jemi shumë të përgatitur dhe të vendosur që edhe këtë vit ta stolisim qytetin me trofeun e çmuar të Kupës së Kosovës. Do të jetë më e veçantë pasi turneu final organizohet në qytetin tonë, në qytetin e hendbollit. Premtojmë spektakël, duele të forta e lojë shumë të bukur për të gjithë sportdashësit që do të jenë në ‘Bill Clinton’”, ka thënë Lulzim Shabani, alo e Kastriotit.
Te hendbollistet, gjysmëfinalja e parë është mes Istogut e Vushtrrisë, të shtunën nga ora 14:00. Nga ora 18:00 përballen Samadrexha e Ferizaj. Ferizaj është fitues në fuqi i Kupës.
Ferizaj ka një trofe të Kupës, Istogu pesë, ndërsa Vushtrria ka triumfuar në këtë garë katër herë, duke përfshirë edhe periudhën kur quhej Kosova e Vushtrrisë. Ndërkohë Samadrexha nuk e ka fituar ende Kupën.
“Të luajmë para publikut tonë është privilegj, por edhe përgjegjësi. Jemi të motivuara dhe të përkushtuara që ta shfrytëzojmë këtë mundësi në maksimum. Synimi ynë është i qartë – të paraqitemi me krenari, të luftojmë për çdo top dhe të japim gjithçka në fushën e lojës në mënyrë që Kupa e Kosovës të mbetet në qytetin e hendbollit, në Ferizaj”, ka thënë Shkurta Mehmeti, pivote e Ferizajt. Kjo skuadër nuk pritet të ketë punë të lehtë me Samadrexhën në gjysmëfinale.
“Synimi ynë është të marrim Kupën e Kosovës dhe kështu të shkruajmë histori. Jemi duke ushtruar shumë dhe me seriozitet për të arritur qëllimin që ia kemi vënë vetes. Nuk do të jetë e lehtë, por me përkushtim e me mund, do të mundohemi t’ia dalim”, ka thënë Arlinda Maloku, hendbolliste e Samadrexhës.
Finalja e hendbollisteve është të dielën nga ora 17:30, ndërsa e hendbollistëve nga ora 20:00.