Fituesi në fuqi i Kupës së Kosovës në hendboll, Kastrioti, ka fituar të shtunën mbrëma përballë kampionit në fuqi të elitës së hendbollit kosovar, Rahovecit.
Kastrioti në ndeshjen që u zhvillua në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, e mposhti Rahovecin me rezultatin 27:24.
Mbi 2000 shikues ishin të mbledhur në palestër për ta parë gjysmëfinalen dramatike.
Pjesa e parë u mbyll me rezultat të barabartë, 15:15.
Pas 52 minutave lojë, rezultati ishte i barabartë, 21:21.
Por, Kastrioti nisi shkëputjen dhe më pas nuk e rrezikoi fitoren për t’iu bashkuar Besa Famgasit në finale.
Rron Ramadani dhe Deniz Terziqi ishin më të mirët e gjysmëfinales në fitore me nga shtatë gola të shënuar.
Pesë gola i pati Yassine Henahen, kurse nga tri gola shënuan Vlerson Zherka dhe Lulzim Shabani.
Te skuadra e Rahovecit gjashtë gola i pati Arbios Mushkolaj, ndërsa nga pesë i shënuan Victor Alonso Garcia dhe Mali Luzha. Por, nuk ishin të mjaftueshme për ta shmangur eliminimin nga Kupa.
Kastrioti është shtatë herë fitues i Kupës, ndërsa Rahoveci nuk e ka fituar këtë garë asnjëherë.
Finalja e hendbollistëve luhet të dielën nga ora 20:00.