Gjykata e Federatës Evropiane të Hendbollit ka gjobitur për arsye të veçantë Federatën e Hendbollit të Kosovës. FHK-ja është gjobitur me 4 mijë euro, 2 mijë, prej të cilave janë me kusht, për sjelljen e spikerit zyrtar në ndeshjen kualifikuese të Evropianit 2026 mes Kosovës dhe Ukrainës, që u zhvillua në Prishtinë më 13 mars të këtij viti. Spikeri zyrtar, sipas njoftimit të EHF-së të publikuar të enjten, i ka motivuar tifozët në mënyrë josportive.
“Federata e Hendbollit e Kosovës duhet ta caktojë një spiker korrekt për ndeshjet e ardhshme”, ka shkruar EHF-ja.
FHK-ja mund të apelojë kundër kësaj gjobe në Gjykatën e Apelit të EHF-së brenda shtatë ditësh.
Kosova fitoi ndaj Ukrainës me rezultatin 31:30.
Në kualifikimet për “Euro 2026” në Grupin 6, Kosova është e fundit me tri pikë pas katër ndeshjeve. Ka një fitore, një barazim e dy humbje.
Ishujt Faroe kanë pesë pikë në vendin e parë, kurse Ukraina e Holanda kanë nga katër pikë. Kosova më 8 maj luan kundër Ishujve Faroe në Prishtinë, ndërsa ndeshjen e fundit e zhvillon më 11 maj në udhëtim te Holanda.