Sporte të tjera

Federata e Volejbollit e publikon listën e lojtarëve ndonëse nuk ka selektor

Kosova, volejboll

Caktimi i ekipit, përkatësisht përzgjedhja e lojtarëve, është prej detyrave bazike të një përzgjedhësi në ekipet përfaqësuese. Jo rrallë drejtues të federatave “fusin duart” në përzgjedhjen e lojtarëve. Në rastin e fundit të volejbollit përzgjedhja e lojtarëve është bërë pa pasur fare selektor.

Federata e Volejbollit e Kosovës të martën pasdite njoftoi “se është bërë publike lista e gjerë e volejbollistëve të ftuar për kampanjën kualifikuese për CEV EuroVolley”.

Grumbullimi i lojtarëve bëhet të enjten, më 30 maj, ndërsa sipas njoftimit, janë ftuar lojtarë të cilët janë duke gëzuar formë të mirë. Grumbullimi i përfaqësueses bëhet në Prishtinë.

“Ky grumbullim do të vijë në kohën kur së shpejti do të publikohet emri i përzgjedhësit të ri të Kombëtares së djemve, tek e cila do ta vazhdojë punën si asistent edhe Faton Mustafa”, shkruan në njoftim.

Pra FVK-ja ka përcaktuar asistentin para përzgjedhësit. Zakonisht bëhet e kundërta. Caktohet përzgjedhësi e ai vendos për asistentët.

Të gjithë të ftuarit janë të klubeve të vendit. Ka lojtarë nga klubet si Peja, Skënderbeu, Drita, Ferizaj, Vëllaznimi e Theranda. Gazmend Husaj është emri më i njohur në listë.

Kosova e luan ndaj Letonisë ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2026. Kjo ndeshje në program është më 17 gusht në Gjilan. Më 28 gusht, Kosova luan në udhëtim ndaj Sllovakisë në Nitra. Me këto dy përfaqësuese i luan nga dy ndeshje.

Volejbollistët e ftuar

Driton Totaj (Skënderbeu), Ergon Tara (Peja), Ermal Maliqi (Drita), Albi Macula (Ferizaj); Gazmend Husaj (Peja), Adriatik Berisha (Peja), Butrint Bytyqi (Ferizaj), Endrit Ndrecaj (Ferizaj), Kaltrim Berisha (Peja); Bardhyl Hajdaraj (Ferizaj), Shlëlqim Ismajli (Drita), Rigon Bajrami (Peja); Erion Bajrami (Peja), Durim Rexhepi (Ferizaj), Granit Ejupi (Skënderbeu), Freskim Mehmeti (Ferizaj), Erolind Kërçeli (Drita), Fisnik Salihu (Peja), Enes Tasholli (Skënderbeu), Leka Shyti (Vëllaznimi); Armend Berisha (Skënderbeu), Endi Zejna (Ferizaj), Leutrim Mujaj (Peja), Arlind Bytyqi (GE Theranda), Arbër Fetahu (Vëllaznimi)