Sporte të tjera

Federata e Notit akuzohet për shkelje ligjore, statutare dhe diskriminim

Not

Bordi i Federatës së Notit e Kosovës (FNK) dhe nënkryetari i saj akuzohen për shkelje ligjore, statutare dhe diskriminim nga 18 klube të notit të Kosovës. 

Në letrën e gjatë dërguar për media nga ish-kryetari i FNK-së, Astrit Haliti, e mbështetur nga klubet e pakënaqura me punën e drejtuesve të Federatës së Notit, pretendohet se Bordi i FNK-së ka bërë shumë shkelje gjatë viteve të fundit.

Kanë përmendur edhe suspendimin e Agron Zeqirit nga Federata Ndërkombëtare e Sporteve të Ujit (World Aquatics) e po ashtu edhe letrën e 21 tetorit ku kërkohet nga FNK-ja, saktësisht anëtarët e Bordit të mos mbajnë zgjedhjet më 2 nëntor derisa Statuti i ri të jetë i harmonizuar me ndryshimet e kërkuara. 

Kanë ngritur po ashtu dyshime se Federata e Notit e Kosovës është duke funksionuar me klube fiktive që, sipas tyre, nuk kanë sportistë.

“Shkeljet ligjore dhe statutare po vazhdojnë në FNK, ditëve të fundit përmes medieve u informuam për disa shkresa të World Aquatics nga të cilat kuptohej që ata kanë zhvilluar korrespodencë me FNK-në për disa çështje, por të cilat ne ende nuk i dimë, nuk na ka njoftuar Federata. Ne jemi të brengosur dhe të shqetësuar se çfarë po ndodh me FNK-në, drejtimin në humnerë, që është duke ia dhënë ky bord aktual. Aq më shumë jemi të shqetësuar, sepse po ky bord i ka përkrahur të gjitha vendimet diskriminuese të kryetarit të saj të suspenduar dhe akoma është duke vazhduar me po të njëjtin avaz, ndërsa është duke e shkatërruar totalisht sportin e notit me aq sa ka mbetur”, shkruan ndër të tjera në letrën e dërguar nga Astrit Haliti. Sipas tij, është mbështetur edhe nga, siç thuhet, klubet e diskriminuara: Vëllaznimi, Orllani, O2 Prizreni, Mitrovica, Ferizaj, Gjilani, Peja, Ilirida, Dielli, Zeniti, Otrila, Fushë Kosova, Podujeva, Obiliqi, Lipjani, Zenit Sport Academy, Drefina dhe Kërcyesit e Urës.

Tutje, sipas Halitit dhe klubeve të pakënaqura, vlerësohet se FNK-ja me shkeljet që i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë rrezikon anëtarësinë në World Aquatics.

Me çfarë ka shkelur rregullat e Aquatics ky Bordi i Federatës duke rrezikuar anëtarësinë dhe duke prishur edhe më tutje imazhin e FNK-së në organizatat ndërkombëtare, anëtare e të cilave është?”, shkruan në letër.

Sipas Halitit, sekretari i përgjithshëm i Federatës u është drejtuar me një qarkore disa klubeve dhe, siç shkruan ai, i ka njoftuar së në një mbledhje të Kuvendit të FNK-së, ku ishte paraparë të kishte karakter zgjedhor, tashmë kishte futur në agjendë edhe një tekst të statutit të ndryshuar të FNK-së. 

“Pra 3 ditë para mbajtjes së Kuvendit zgjedhor. Kjo mënyrë e veprimeve të Bordit të Federatës për të kontrabanduar tekstin e statutit në kuvend zgjedhor vetëm 3 ditë para mbajtjes është shkelje e rëndë ligjore, statutore e fyerje e rëndë ndaj klubeve/diskriminim i hapur, duke mos dhënë afat që të analizohet dhe shqyrtohet nga të gjitha klubet e Federatës, në mënyrë që të gjithë të kenë kohë të mjaftueshme që të paraqesin, vërejtjet, propozimet dhe sugjerimet e tyre në statut. Ky tekst është dërguar në formatin PDF, pra as që lejon ndërhyrje madje edhe e kanë vendosur edhe datën e nënshkrimit më 2 nëntor 2024, pra me qasje imponuese se ky statut duhet të aprovohet dhe nënshkruhet pa iu nënshtruar fare shqyrtimit dhe debatit të hapur publik nga të gjitha klubet dhe komuniteti i notit”.

Federata e Notit e Kosovës (FNK) planifikon organizimin e Kuvendit Zgjedhor në fillim të muajit të ardhshëm. Por Federata Ndërkombëtare e Sporteve të Ujit (World Aquatics) ia ka bërë të qartë FNK-së se nuk do t’i njohë rezultatet që do të dalin nga Kuvendi Zgjedhor i 2 nëntorit.

Nënkryetari i FNK-së, Bashkim Haxhimusa, ditë më parë për KOHËN pati thënë se Federata punon me ligje të Kosovës dhe se Kuvendi Zgjedhor do të mbahet më 2 nëntor, ndonëse Federata Ndërkombëtare e Sporteve të Ujit e thotë të kundërtën.

Edhe të enjten nënkryetari i FNK-së, Bashkim Haxhimusa, konfirmoi se më 2 nëntor do të mbahet kuvendi ndërsa akuzat e Halitit i ka cilësuar propagandë. 

“Janë propaganda akuzat e Astritit. Ne klube nuk regjistrojmë, por Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ne i kemi shtuar klubet e licencuara dhe ua kemi dërguar materialin. Astriti duhet të vijë në Kuvend dhe aty të diskutohet për gjithçka. Klubet të cilat kanë licencë do të jenë pjesë e Kuvendit, ato që nuk kanë, nuk kemi çka të bëjmë. Të gjitha procedurat po zhvillohen sipas rregullave të Federatës Ndërkombëtare dhe Ligjeve të Kosovës. Kuvendi do të mbahet më 2 nëntor. Qarkorja e MKRS-së na obligon të mbajmë Kuvendin për aprovim të ndryshimeve. Aty do të bëhen të gjitha ndryshimet e kërkuara”, ka thënë Haxhimusa.