Federata e Notit e Kosovës vazhdon të kundërshtojë që Adell Shaboviq (Sabovic) të paraqitet në Lojërat Olimpike si përfaqësues i Kosovës në not.
Shaboviqi, që jeton në SHBA por është me prejardhje nga Peja, tashmë është zyrtarizuar si anëtar i ekipit olimpik të Kosovës për “Parisi 2024”. Komiteti Olimpik i Kosovës ka prezantuar Shaboviqin pasi World Aquatics (Federatat Ndërkombëtare e Sporteve të Ujit), dërgoi emrin e tij dhe të Hana Beiqit si dy notarët kosovarë më të ranguar. Të dy duhet të marrin pjesë me ftesë.
“Skandali sportiv – skandali i përfaqësimit në Lojërat Olimpike Paris 2024, me sportistin Adell Tsakhilov Sabovic si përfaqësues i RKS”, shkruan në një ftesë të Federatës së Notit të Kosovës për një konferencë të planifikuar për të hënën.
Në përmbajtje të kësaj ftese shkruan se “është shkatërruar dhe është dëmtuar karriera e sportistit më të mirë në histori të notit të Kosovës, Mal Gashi”.
FNK-ja insiston se Mal Gashi duhet të jetë në Paris me ftesë.
Tutje shkruan se “qëndrimi zyrtar dhe vendimi final i FNK-së është: Adell Sabovic nuk është përfaqësues i FNK në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe FNK-ja kundërshton dhe do të ndërmerr veprime juridike për të parandaluar përfaqësimin jolegjitim të z. Adell Tsakhilov Sabovic”.
Sipas asaj që shkruan FNK-ja, kjo federatë ka njoftuar MKRS-në, presidencën, Qeverinë e Kosovës, Këshillin për Sport dhe të gjitha institucionet e përfshira “se ky skandal duhet të parandalohet dhe të mirren masa adekuate”.
KOK-u e vlerëson të mbyllur çështjen e përzgjedhjes së ekipit olimpik. KOK-u ka shkruar se përzgjedhjen e dy notarëve e ka bërë World Aquatics, ndërsa KOK-u vetëm ka miratuar emrat. Po ashtu është prezantuar nga KOK-u një letër e dhjetorit të vitit të kaluar, përmes së cilës kryetari i FNK-së, Agron Zeqiri, njoftonte Shaboviqin se nga 1 janari i vitit 2024 do të përfaqësonte FNK-në në gara.
Në shkurt, pasi FNK-ja nuk lejoi notarin të paraqitej në Botëror, Shaboviqi e dërgoi federatën kosovare në CAS në Llozanë. Por e humbi rastin.
Në zhvillimet rreth ekipit olimpik në not është shumë e përfshirë edhe World Aquatics. Në bazë të korrespodencës kuptohet që FNK-ja nuk ka raporte të mira me të paktën dy zyrtarë të lartë të World Aquatics.