Ngasësi i skuderisë McLaren, Oscar Piastri, e ka fituar të dielën garën Grand Prix të Kinës në Shangai. Australiani u nis nga pozita e parë dhe ishte i paarritshëm. Përfundoi para shokut të skuadrës, Lando Norris, ndërsa McLareni për herë të 50-të fitoi dy vendet e para në një garë të Formula 1.
Piastri, që të shtunën siguroi “pole position” për herë të parë, pati fillim të shkëlqyer të garës. Udhëhoqi në kthesën e parë, derisa Norrisi kaloi George Russellin për vendin e dytë.
Australiani Piastri e shënoi fitoren e tretë në karrierë, ndërsa nuk u rrezikua gjatë gjithë garës.
Norris pati një garë më të ndërlikuar për të përfunduar në vendin e dytë.
Gara në Kinë ishte e dyta e stinorit në Formula 1. Vendi i tretë i takoi britanikut Russell.