Sporte të tjera

Distria Krasniqi, sportistja më e mirë e vitit 2024

Distria Krasniqi është sportistja më e mirë në Kosovë për vitin 2024

Distria Krasniqi është sportistja më e mirë në Kosovë për vitin 2024, sipas KOHËS.

Distria Krasniqi është sportistja më e mirë në Kosovë për vitin 2024, sipas KOHËS.

Distria fitoi medalje të argjendtë olimpike në xhudo, që e veçoi nga sportistët e tjerë të vendit. Po ashtu kishte titull të Evropës gjatë këtij viti.

Laura Fazliu gjithashtu kishte vit shumë të suksesshëm, duke fituar medalje të bronztë olimpike dhe medalje të bronztë botërore.

Por e argjendta olimpike bëri që Distria sërish të shpallet sportiste e vitit. KOHA e ka shpallur më të mirën në pesë vjetët e fundit, në vitin 2021 së bashku me Nora Gjakovën.

KOHA, si askush tjetër në vend, ka traditë të gjatë të shpalljes së më të mirëve të vitit. Më të mirët e vitit në sport i ka shpallur për herë të 26-të. Shpallja është bërë në emisionin Sporti TOTAL, në mbrëmjen e së dielës.

KOHA ka vendosur që këtë vit të ketë vetëm një fitues në nivelin e të rriturve. Dhe çmimi kryesor, ashtu si pritej, është fituar nga Distria Krasniqi.

Redaksia e sportit e KOHËS bën nominimet, ndërsa vlerësimi bëhet nga një juri profesionale që këtë herë përbëhej nga Afërdita Fazlija, zëvendësdrejtoreshë në Departamentin e Sportit në MKRS, Kushtrim Krasniqi, udhëheqës i Departamentit të Mediave në Komitetin Olimpik të Kosovës, Kemajl Goca, gazetar i sportit, Erdin Hashani, trajner i futbollit dhe Faton Polisi nga redaksia e sportit e KOHËS.

Klubet më të mira janë shpallur KB Trepça te meshkujt dhe KHF Istogu te femrat.

Trepça i fitoi gjithë trofetë e basketbollit kosovar gjatë këtij viti, ndërsa e kaloi një kundërshtar në kualifikimet e Championsit. Trepça u shpall klubi më i mirë në konkurrencë të fortë me Ballkanin, Dritën dhe klubin e hendbollit Rahoveci.

Istogu fitoi tjetër titull të kampionit në hendboll, ndërsa e kaloi një kundërshtar në Kupën Evropiane. Kalimi i një kundërshtari evropian bëri që Istogu të shpallet klubi më i mirë në konkurrencë me kampionët e tjerë te sportistet.   

Çmimi “Punëtor Sportiv i Vitit” i ka takuar sërish trajnerit të Kosovës në xhudo, kryemjeshtrit Driton Kuka. Nxënësit e tij kanë fituar dy medalje olimpike e po ashtu fituan medalje në ngjarjet e tjera të mëdha.

KOHA e ka nderuar edhe Laura Fazliun. Asaj ia ka ndarë çmimin “Majlinda Kelmendi”. Ky çmim, i formuar nga KOHA, jepet për frymëzim në sport.

Edon Zhegrova, që shkëlqeu me skuadrën franceze Lille, sidomos në Ligën e Kampionëve, është nderuar me “Mirënjohje të Veçantë”. KOHA e ka dalluar Zhegrovën prej gjithë sportistëve të tjerë nga Kosova që bëjnë karrierë jashtë vendit.

Ndërkohë në konkurrencë për më të mirët janë përfshirë vetëm sportistët që aktivitetin e zhvillojnë në Kosovë.

KOHA shpall vazhdimisht edhe sportistët më të mirë të rinj. Për vitin 2024 sportisti më i mirë i ri i vitit është shpallur futbollisti i Llapit dhe i përfaqësueseve të reja të Kosovës, Elvir Gashijani. Ndërkohë sportistja më e mirë e re e vitit është xhudistja Sidorela Dodaj. Te të rinjtë konkurrenca nuk ishte e fortë, në mungesë të medaljeve nga kampionatet evropiane e botërore.

Ishte gazeta KOHA Ditore që në vitin 1997 nisi traditën e shpalljes së më të mirëve të vitit. Pos KOHËS, më të mirët e vitit në sportin kosovar i shpall vetëm edhe Komiteti Olimpik i Kosovës.

Fituesit e deritashëm

1997 - Zijadin Kryeziu

2000 - Besnik Hasi

2001 - Kushtrim Munishi

2002 - Luan Krasniqi

2003 - Afrim Latifi - Kaltrinë Krasniqi

2004 - Luan Krasniqi - Besire Domaniku

2005 - Luan Krasniqi - Majlinda Kelmendi

2006 - Habib Ademi - Daulina Osmani

2007 - Arben Muqolli - Majlinda Kelmendi

2008 - Visar Berisha - Majlinda Kelmendi

2009 - Majlinda Kelmendi

2010 - Majlinda Kelmendi

2011 - Majlinda Kelmendi

2012 - Nora Gjakova - Shpëtim Idrizi

2013 - Nora Gjakova - Dardan Berisha

2014 - Nora Gjakova - Dardan Berisha

2015 - Nora Gjakova - Dardan Berisha

2016 - Nora Gjakova - Herolind Nishevci

2017 - Nora Gjakova - Dardan Berisha

2018 – Nora Gjakova – Akil Gjakova

2019 – Loriana Kuka – Vedat Muriqi

2020 – Distria Krasniqi – Amir Rrahmani

2021 – Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova – Akil Gjakova

2022 – Distria Krasniqi - Armend Thaqi

2023 – Distria Krasniqi – Akil Gjakova

2024 – Distria Krasniqi