Sporte të tjera

Besa Famgas pëson humbje me dhjetë gola dallim

Besa Famgas

Hendbollistët e Besa Famgasit kanë pësuar humbje të thellë në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës Evropiane.

Skuadra pejane të shtunën është mposhtur me rezultatin 38:28 nga skuadra çeke Mesto Lovosice.

Besa Famgas shfaqi lojë të mirë në pjesën e parë, të cilin e humbi me rezultatin 14:13.

Por në pjesën e dytë, hendbollistët e skuadrës çeke aplikuan lojë më të mirë në mbrojtje, ndërsa ishin më efikas në sulm për fitoren me dhjetë gola dallim.

Besa Famgas, që në garat kontinentale merr pjesë për herën e 19-të, do të ketë punë të vështirë për ta përmbysur këtë rezultat në ndeshjen kthyese që luhet pas një jave në palestrën “Karagaçi” në Pejë.

Pavel Choteborsky ishte më i dalluari në fitoren e skuadrës çeke. Ai pati 12 gola të shënuar gjithsej.

Ndërkohë te skuadra e Besa Famgas, golashënuesi më i mirë i skuadrës, Olsi Mulaj, pati dhjetë gola në total. Nga gjashtë gola shënuan Jakub Cwieka dhe Vladimir Stankoviq, por që kontributi i tyre nuk mjaftoi për ta shmangur humbjen.