Zgjedhjen e tij si president i Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF), Astrit Hasani e ka vlerësuar si njërën prej ditëve më të rëndësishme për Kosovën.
Hasani të premten në Chisinau të Moldavisë u zgjodh kryetar i Federatës Evropiane në Kongresin Zgjedhor. Ai mori 24 vota. Hasani ishte në mesin e gjashtë kandidatëve për President dhe mori votat e mjaftueshme që ta drejtojë këtë federatë evropiane. Kandidat ishte edhe Presidenti i deritashëm i EWF-së, Antonio Conflitti.
“Ditë shumë e rëndësishme, jo vetëm për mua por për të gjithë Republikën e Kosovës. Për të gjithë ata sportistë, për njerëzit e sportit. Pas arritjes së pavarësimit, pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, erdhi dita që një kosovar, një shqiptar, të jetë president i Federatës Evropiane, për ta udhëhequr Federatën Evropiane të Peshëngritjes, një sport olimpik prej vitit 1896, qysh prej ditës së parë”, ka thënë Hasani për KOHËN.
Peshëngritja nuk vlerësohet sport i zhvilluar në Kosovë. Edhe Hasani e pranon se ka shumë punë për të bërë. Por, një gjëje të tillë beson se do t’ia arrijë me ndihmën e bashkëpunëtorëve.
Ai thotë se zgjedhja si president i EWF-së nuk do të arrihej pa ndihmën e Komitetit Olimpik të Kosovës, që drejtohet nga Ismet Krasniqi, si dhe të Komitetit Olimpik të Shqipërisë, që udhëhiqet nga Fidel Ylli. Ka përmendur edhe krerët e shtetit të Kosovës e Shqipërisë që thekson se kanë bërë punë të madhe.
“Arritje historike. Dr. Astrit Hasani zgjidhet President i Federatës Evropiane të Peshëngritjes. Ai bëhet presidenti i parë shqiptar i ndonjë Federate Evropiane”, ka shkruar Komiteti Olimpik i Kosovës.
Hasani është kryetar i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës, ndërsa ka qenë edhe arkëtar dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Federatës Evropiane të Peshëngritjes prej vitit 2016. Ai është edhe këshilltar i KOK-ut për marrëdhënie ndërkombëtare.
Astrit Hasani është i biri i Besim Hasanit, që për plot 25 vjet ka qenë kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës.
Në kohën e Besim Hasanit si president, KOK-u u pranua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Besim Hasani e kishte marrë drejtimin e organizatës olimpike të vendit në vitin 1996, periudhë që zgjati deri në vitin 2021, kur Ismet Krasniqi e fitoi garën për kryetar të KOK-ut.
Peshëngritja në Kosovë është dukshëm më pak e zhvilluar se në Shqipëri. Shpejtë edhe Kosova pritet që ta ketë një kampion olimpik. Bëhet fjalë për peshëngritësin nga Irani, Kianoush Rostami. Ai është pajisur me pasaportë të Kosovës. Ai është fitues i medaljes së artë në “Rio 2016”, ndërsa në “Londra 2012” ishte stolisur me medalje të argjendtë. Është kampion botëror në vitet 2011 dhe 2014, dhe medalist i argjendtë botëror në vitin 2015.
“Tani na pret punë e madhe. Nuk do të jetë e lehtë. Por me ardhjen e Rostamit presim që të fitojmë medalje botërore”, ka deklaruar Hasani.
Botërori i Peshëngritjes do të organizohet nga 2 deri më 11 tetor në Sunnfjord të Norvegjisë.