Sport

Ylli udhëton në Gjakovë me mendje te gjysmëfinalja

Golden Eagle Ylli po mendon për serinë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll, ndonëse i nevojitet edhe një fitore për t’u kualifikuar në këtë fazë. Kampioni në fuqi, garat e plejofit i ka nisur prej serisë çerekfinale kundër Vëllaznimit, të cilin e mposhti në duelin e parë të luajtur në Suharekë të mërkurën mbrëma. Të shtunën, Ylli e luan edhe ndeshjen e dytë ndaj Vëllaznimit, ku i duhet fitorja për ta konfirmuar kualifikimin në fazën gjysmëfinale. Përballja mes Vëllaznimit dhe Yllit zhvillohet të shtunën prej orës 20:00 në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Skuadra nga Suhareka vlerësohet favorite përballë Vëllaznimit, të cilin e mposhti në duelin e parë me shifrat 111:86. Me kalimin në gjysmëfinale, Ylli i siguron vetes përballjen me Pejën, ekip që është kualifikuar direkt në këtë fazë pasi pjesën e rregullt të sezonit e ka mbyllur në pozitën e dytë. Për dallim prej çerekfinales, në serinë gjysmëfinale, skuadra që kërkon kalimin në finalen e plejofit duhet t’i fitojë tri ndeshje. Megjithatë, edhe pse e kanë në mendje serinë gjysmëfinale, tek Ylli janë të fokusuar për ta përfunduar duelin ndaj Vëllaznimit. Me humbje eventuale ndaj Yllit, Vëllaznimi do t’i jepte fund këtij edicioni, në të cilin u rikthye në Superligë dhe siguroi paraqitjen edhe për sezonin tjetër.

“Sigurisht, që udhëtojmë për fitore në mënyrë që të kualifikohemi në gjysmëfinale, por është e rëndësishme të bëjmë një paraqitje të mirë. E them këtë për shkak se duhet të jemi gati për fazën e gjysmëfinaleve, e cila nuk do të jetë aspak e lehtë. Megjithatë, ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të jemi sa më të gatshëm për të shkuar drejt objektivave që i kemi, pra mbrojtja e titullit të kampionit”, ka thënë organizatori i Yllit, Valon Bunjaku.

Në anën tjetër, te Vëllaznimi pothuajse janë të dorëzuar. Në fakt, insistojnë se tashmë kanë arritur synimin që e kishin – mbijetesën në Superligë. Po ashtu, në ndeshjen e parë kundër Yllit, skuadra gjakovare u paraqit me vetëm një lojtar të huaj, pasi të tjerët i kishte liruar. Pjesë e ekipit ishte vetëm amerikani Devin Johnson, ndërsa të tjerët ishin të gjithë lojtarë vendorë.

“Ne e kemi arritur synimin tonë, por do të përpiqemi të bëjmë edhe një paraqitje të mirë, që edhe mund të jetë e fundit për këtë sezon. Pres një paraqitje të mirë prej lojtarëve vendorë, ku shumica e tyre nuk kanë pasur minutazhë të mjaftueshme. Megjithatë, është e rëndësishme që të përpiqemi dhe t’i kënaqim tifozët me lojën që do ta tregojmë në shtëpinë tonë”, shtoi trajneri i Vëllaznimit, Josip Plantak.

Përballja tjetër çerekfinale, ajo ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës, do të zhvillohet të dielën prej orës 17:00. Edhe këtë ndeshje, Bashkimi do ta luajë në palestrën “13 Qershori” në Suharekë për shkak se palestra “Sezai Surroi” në Prizren ende nuk është gati për ndeshje pasi iu nënshtrua rinovimit. Bashkimi e humbi ndeshjen e parë në Mitrovicë të enjten mbrëma, por me vetëm katër pikë – 92:88. Kështu që, në duelin e dytë çerekfinal ekipi nga Prizreni synon barazimin e kësaj serie. Te Bashkimi për ndeshjen e dytë pritet të kthehet qendra Samardo Samuels, i cili mungoi në të parën.

“Do të përpiqemi të bëjmë një ndeshje të madhe sikurse në Mitrovicë, ndonëse nuk kemi rotacion të mjaftueshëm. Megjithatë, shpresoj që edhe Samardo Samuels të jetë i gatshëm për lojë dhe ta kërkojmë fitoren, ndonëse nuk do të jetë lehtë ndaj Trepçës”, ka thënë trajneri i Bashkimit, Audrius Prakuraitis.

Ndërkohë, të shtunën, zhvillohet ndeshja e plejautit ku konfirmohet ekipi që do të jetë pjesë e Superligës edhe për sezonin tjetër. Sipas të gjitha gjasave, Ponte Prizreni do të jetë në elitë për shkak se në duelin e parë të plejautit triumfoi thellë ndaj Borës 123:86. Ndeshja e dytë luhet të shtunën prej orës 20:30 në Suharekë.

Plejofi

E shtunë

Vëllaznimi – G.E. Ylli (20:00)

E diel

Bashkimi – Trepça (17:00)