Golden Eagle Ylli po e kërkon fitoren e tretë në katër ndeshjet e fundit në Superligën e Kosovës në basketboll. Pas fitoreve ndaj Bashkimit dhe Istogut, Ylli pësoi xhiron e shkuar nga Sigal Prishtina. Dhe tani ka përballë kundërshtarë të nivelit më të lartë se Bashkimi e Istogu.
Ylli do të përballet me skuadrën e Pejës në derbin e xhiros së 18-të të elitës së basketbollit kosovar. Ndeshja Ylli – Peja luhet të shtunën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë dhe nis në orën 17:00.
Dy fitoret e kaluara kanë motivuar basketbollistët e Yllit që ta kërkojnë triumfin edhe ndaj Pejës, e cila nuk ka treguar stabilitet xhirot e fundit.
Në pesë ndeshjet e fundit kampionia në fuqi ka tri fitore e dy humbje dhe zë vendin e dytë në tabelë me 29 pikë, tri më pak se Trepça që është lidere. Ndërkohë Ylli është i katërti në tabelë me 27 pikë.
Ylli ka pësuar humbje në dy ndeshjet e mëparshme të këtij edicioni nga Peja dhe tani po synon t’i revanshohet ekipit të trajnerit Rami Hadar.
Kapiteni i Yllit, Gëzim Morina, beson se ekipi i tij do ta mposhtë Pejën. Ai pranon se Peja ka ekip të mirë dhe kjo ndeshje nuk do të jetë aspak e lehtë, por vlerëson se me angazhim maksimal dhe me përkrahjen e tifozëve do ta marrin fitoren e radhës.
“Na pret një ndeshje e vështirë. Peja ka ekip kualitativ dhe të udhëhequr mirë. Luan lojë mjaft të shpejtë, me shumë tentime për 3 pikë dhe lojtarët e saj janë tejet aktivë në fazën e kërcimeve në sulm. Ne luajmë në shtëpi dhe me angazhim maksimal të secilit lojtar presim të dalim fitues nga ky takim”, ka thënë Morina të premten për KOHËN.
Ndërkohë Peja udhëton për fitore në Suharekë. Kërkon të reflektojë pas humbjes që e pësoi xhiron e shkuar në shtëpi nga Trepça.
Amerikani Jay Jay Chandler thotë se vetëm me fitore ndaj Yllit do të mund të mbahet hapi me Trepçën për kreun e tabelës. Chandler ka thënë se gjatë tërë javës kanë punuar mirë dhe janë përgatitur maksimalisht për ta fituar këtë ndeshje, të cilën e ka vlerësuar si të vështirë. Chandler është prej lojtarëve kryesorë të Pejës.
“Jemi të gatshëm për këtë ndeshje dhe e kemi parasysh se nuk do të jetë lehtë, pasi Ylli po luan mirë kohët e fundit. Megjithatë ne jemi përgatitur dhe do të dalim në parket për fitore. Është e rëndësishme për ne të fitojmë dhe të bëjmë një paraqitje të mirë”, ka thënë Chandler.
Të shtunën luhet edhe një ndeshje tjetër, që nis në orën 19:00. Skuadra e Bashkimit është nikoqire e Proton Cable Prizrenit në ndeshjen që luhet në palestrën “Sezai Surroi”. Si Bashkimi ashtu edhe Proton Cable Prizreni synojnë ta fitojnë derbin e qytetit për t’u ngjitur në tabelë. Duket se skuadrat prizrenase janë në garë me njëra-tjetrën.
Bashkimi është i gjashti në tabelë me 23 pikë dhe në këtë ndeshje futet pas serisë prej dy fitoreve. Ndërkohë Proton Cable Prizreni është i parafundit (7) me 22 pikë. Prizreni ka pësuar humbje në tri ndeshjet e fundit në kampionat dhe gjatë javës ndryshoi trajnerin.
Xhiroja e 18-të vazhdon të dielën, kur gjithashtu luhen dy ndeshje. Prej orës 17:00 në kryeqytet zhvillohet dueli mes Istogut dhe Sigal Prishtinës. Sigal Prishtina vlerësohet favorite e madhe ndaj Istogut, ekip që ka vetëm një fitore këtë edicion dhe zë vendin e fundit në tabelë me 18 pikë.
Dueli i fundit i kësaj xhiroje është ai që luhet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë prej orës 19:00. Trepça e pret Vëllaznimin.
Trepça është në seri prej dhjetë fitoreve dhe synon të forcohet në krye të tabelës pas këtij takimi. Ndërkohë Vëllaznimi ka një fitore e tri humbje në katër duelet e fundit në Superligë dhe është i pesti në tabelë 25 pikë të tubuara.
Superliga – XVIII
E shtunë
G.E. Ylli – Peja (17:00)
Bashkimi – P.C. Prizreni (19:00)
E diel
Istogu – S. Prishtina (17:00)
Trepça – Vëllaznimi (19:00)
1. Trepça 17 32
2. Peja 17 29
3. S. Prishtina 17 28
4. G.E. Ylli 17 27
5. Vëllaznimi 17 25
6. Bashkimi 17 23
7. P.C. Prizreni 17 22
8. Istogu 17 18