Kampioni në fuqi, Golden Eagle Ylli, nuk ka opsion tjetër veç fitores në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Duelin e parë të serisë gjysmëfinale, që u zhvillua të mërkurën mbrëma në Pejë, Ylli e humbi nga ekipi pejan me rezultatin e ngushtë 85:82. Ndeshja e dytë luhet në Suharekë, të shtunën prej orës 20:30.
Me përkrahjen që e presin në palestrën “13 Qershori”, tek Ylli besojnë se do ta barazojnë serinë gjysmëfinale në 1:1. Kështu ka insistuar kapiteni i Yllit, Gëzim Morina, të premten për KOHËN.
Ai ka thënë se pret që palestra të jetë e stërmbushur me tifozë, të cilët do ta ndihmojnë kampionin në fuqi për t’u kthyer në lojë.
Morina pranon se nuk do të jetë lehtë. Ai vlerëson Pejën, por thotë se tek Ylli janë të vendosur për të barazuar gjithçka. Skuadra që shënon tri fitore avancon në finale të plejofit. Peja ka përparësinë e terrenit ndaj Yllit në ndeshjen e pestë eventuale, pasi përfundoi më lart në tabelë në kampionatin e rregullt. Ishte e dyta, derisa Ylli ishte i treti. Ylli garat e plejofit i nisi nga faza çerekfinale, në të cilën e eliminoi Vëllaznimin me rezultatin 2:0. Peja nisi garimin në gjysmëfinale.
“Përfundimisht na pret një ndeshje tejet e rëndësishme dhe duhet thuajse patjetër ta mbrojmë terrenin vendas nëse dëshirojmë të mendojmë për finale dhe mbrojtjen e titullit. Pres që palestra të jetë e mbushur me tifozë dhe së bashku me përkrahjen e ‘Xhebrailave’ dhe të të gjithë qytetarëve të Suharekës do ta barazojmë serinë gjysmëfinale”, është shprehur Morina.
Ylli edhe në këtë përballje pritet të ketë mungesa të rëndësishme në përbërje. Chris Harris dhe Henrik Shirko, sipas të gjitha gjasave, do të mungojnë edhe në ndeshjen e dytë ndaj Pejës për shkak se nuk janë rikuperuar nga lëndimet. Ata nuk luajtën në ndeshjen e parë.
Te Peja po shpresojnë ta shfrytëzojnë mungesat e Yllit dhe formën e mirë që kanë treguar javët e fundit për ta bërë një hap të madh drejt kualifikimit në finale. Me fitore eventuale në Suharekë, Peja do të ishte një fitore larg finales.
Peja ende nuk di për humbje në kampionat, me trajnerin Rami Hadar në stol. Kapiteni i ekipit, Arti Hajdari, është optimist se do ta vazhdojnë këtë seri edhe në Suharekë.
“Secila ndeshje në garat e plejofit, qoftë në shtëpi apo udhëtim, e ka rëndësinë e saj dhe sigurisht se duhet të japim maksimumin për të fituar. Edhe dueli i radhës me Yllin është një derbi të cilin besoj se mund ta fitojmë pasi do të japim maksimumin. Jemi të motivuar dhe përgatitur për ta arritur synimin tonë ndonëse nuk do të jetë lehtë”, është shprehur Hajdari.
Ylli në dy edicionet e fundit ka fituar titullin e kampionit, ndërsa Peja është në kërkim të suksesit në kampionat që nga viti 2013.
Gjysmëfinalet e plejofit
E shtunë (20:30)
G.E. Ylli – Peja
E diel (17:15)
S. Prishtina - Trepça