Te Golden Eagle Ylli janë të vendosur për ta mbrojtur titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në basketboll. Ylli është shpallur kampion i Kosovës në dy sezonet e fundit, ndërsa po synon edhe këtë sezon ta fitojë titullin e tretë. Megjithatë, për të arritur deri te mbrojtja e titullit, saktësisht faza finale e plejofit, ekipi nga Suhareka duhet t’i kalojë dy pengesa. Fillimisht ta eliminojë Vëllaznimin në serinë çerekfinale dhe pastaj Pejën në gjysmëfinale për ta prekur finalen. E rrugëtimin drejt finales Ylli e nis të mërkurën kur edhe zyrtarisht nis seria e plejofit të elitës së basketbollit të Kosovës.
Pjesën e rregullt të sezonit, Ylli e mbylli në pozitën e tretë dhe do të përballet me Vëllaznimin që doli i gjashti dhe për herë të parë po paraqitet në garat e plejofit. Megjithatë, te Ylli mendjen më shumë e kanë te Peja, ekip me të cilin do të përballen në gjysmëfinale, pasi janë të bindur se serinë çerekfinale do ta kalojnë me dy ndeshje. Ekipi që në çerekfinale shënon dy fitore, automatikisht avancon në gjysmëfinale.
Fundori i Yllit, Valon Bunjaku, ka thënë se janë maksimalisht të përgatitur për plejof, duke shtuar se synimi i madh i ekipit mbetet mbrojtja e titullit edhe pse nuk do të jetë aspak lehtë. Bunjaku të martën ka thënë se duelet me Vëllaznimin do t’i përdorin për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet me Pejën, ekip që është kualifikuar direkt në gjysmëfinale pasi doli i dyti në pjesën e rregullt të sezonit. Dueli i parë mes Yllit dhe Vëllaznimit zhvillohet të mërkurën prej orës 20:00 në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.
“Sigurisht se jemi gati për plejof dhe qëllimi është që të kalojmë në gjysmëfinale me dy ndeshje të luajtura në çerekfinale. Pa e nënçmuar për asnjë moment Vëllaznimin, ne do të synojmë t’i japim fund kësaj serie me dy ndeshje të fituara. Po ashtu, këto duele t’i përdorim edhe për përgatitje sa më të mira për ndeshjet kundër Pejës në gjysmëfinale. Natyrisht, fokusi është njëherë te Vëllaznimi, por duhet të jemi gati edhe për Pejën, e cila ka një skuadër të fortë dhe na pret në gjysmëfinale”, është shprehur Bunjaku. “Synimi i madh i Yllit mbetet mbrojtja e titullit të kampionit, por është një rrugë e gjatë për të arritur deri atje. Fillimisht, të kujdesemi për Vëllaznimin dhe pastaj të shohim të shkojmë gradualisht dhe ndeshje pas ndeshjeje për shkak se të gjitha ekipet në plejof janë të forta”.
Për dallim prej Yllit që është i vendosur të avancojë në gjysmëfinale, te Vëllaznimi nuk kanë shumë ambicie në serinë çerekfinale. Skuadra nga Gjakova është rikthyer këtë sezon në Superligë dhe ka siguruar mbijetesën, që ishte edhe synimi primar i saj. Trajneri i Vëllaznimit, Josip Plantak, beson në një paraqitje të mirë të ekipit të tij, ndonëse pranon se Ylli mbetet favorit në këtë seri të plejofit.
“Natyrisht, mbetja në Superligë edhe për sezonin tjetër ishte synimi kryesor dhe këtë e arritëm në mënyrën më të të mirë të mundshme, duke evituar plejautin dhe me arritjen në plejof mund të jemi tejet të kënaqur”, është shprehur Plantak. “Ylli mbetet favorit i madh në këto përballje ndaj nesh, në të cilat pres që ekipi të paraqitet në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne do të mundohemi të japim më të mirën dhe besojmë se faza e plejofit do të jetë shumë interesante dhe tejet cilësore”.
Ndeshja tjetër çerekfinale do të jetë ajo ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit, që do të zhvillohet të enjten në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Trepça, që këtë sezon ka fituar Kupën e Kosovës, pjesën e rregullt e ka mbyllur në pozitën e katërt në tabelë, ndërsa Bashkimi ka dalë i pesti. Ndërkohë, të mërkurën mbrëma është edhe ndeshja e parë e plejautit ndërmjet Borës dhe Ponte Prizrenit. Bora doli nënkampione e Ligës së Parë, ndërsa Ponte Prizreni përfundoi i parafundit në Superligë. Ekipi që regjistron dy fitore do të konfirmohet anëtar i elitës për sezonin 2023/24.
Plejofi
E mërkurë (20:00)
G.E. Ylli – Vëllaznimi (20:00)
E enjte (20:30)
Trepça Bashkimi