Sport

Xavi thotë se Barcelona duhet të “zgjohet nga gjumi” nëse dëshiron trofe këtë edicion

Vërshëllimat nga tifozët dhe kritikat prej mediave janë zakonisht një shenjë se gjërat nuk kanë shkuar mirë për Barcelonën. Paraqitjet e fundit të dobëta dhe rezultatet e dobëta e kanë lënë klubin katalanas në prag të një krize. Trajnerit Xavi Hernandez me sa duket ka mjaftuar kjo dhe po kërkon ndryshime të menjëhershme nëse skuadra ende dëshiron të ketë sukses këtë edicion. Xavi nuk kurseu askënd në konferencën për shtyp pas një paraqitjeje tjetër zhgënjyese të skuadrës së tij që arriti ta mposht Almerian e vendit të fundit me shifrat 3:2 në kuadër të ligës spanjolle të mërkurën. Tifozët talleshin me Barcelonën teksa ajo luftoi kundër skuadrës së vetme që ende nuk ka shënuar fitore këtë edicion në La Liga.

“Nëse nuk do të shfrytëzojmë rastet tona gjatë ndeshjes, të paktën duhet të jemi agresivë dhe të tregojmë pak shpirt”, tha ai. “Nëse nuk vrapojmë si kafshë, nuk do të arrijmë askund. Nëse nuk e lëmë lëkurën tonë atje në fushë, nuk do të fitojmë asgjë. Duhet të zgjohemi. Nuk është çështje futbolli, ka të bëjë me shpirtin luftarak”.

Trajneri tha se lojtarët duhet të marrin përgjegjësi, të ngrihen dhe të kuptojnë se ekipi nuk mund të jetojë nga lavdia e tij e së kaluarës. Ai ua kujtoi të gjithëve se kjo skuadër e Barcelonës nuk ka asnjë lidhje me ekipin e talentuar të vitit 2010 për të cilin luajti dhe fitoi tituj të shumtë.

“Ne nuk jemi Barça e vitit 2010, nuk kemi cilësinë e Barçës së vitit 2010”, tha Xavi. “Ne thjesht nuk e kemi këtë, harrojeni. Ne nuk e kemi atë cilësi apo atë aftësi individuale. Ne nuk e kemi atë”.

Xavi ishte bashkëlojtar me Andres Iniestan, David Villan, Dani Alvesin, Gerard Piquen dhe Lionel Messin në skuadrën e vitit 2010 që fitoi pothuajse të gjithë trofetë kryesorë në atë kohë. Të gjithë ata lojtarë janë zhdukur tashmë dhe Barcelona po kalon nëpër një rinovim total të ekipit me të rinjtë si Gavi, Pedri dhe Lamine Yamal.

“Vitin e kaluar fituam dy trofe, sepse vendosëm shpirtin tonë në fushë, dhamë gjithçka. Kjo është përgjegjësia ime dhe nuk do ta lejoj të ndodhë më”, tha Xavi. “Në pjesën e dytë kundër Almerias ne treguam pak shpirt dhe kështu e fituam ndeshjen. Kjo pjesë më pëlqeu shumë”.

Barcelona fitoi ligën dhe Superkupën e Spanjës edicionin e kaluar. Doli fituese e grupit të saj në Ligën e Kampionëve këtë edicion për të avancuar në fazën nokaut për herë të parë pas dy eliminimeve të hershme radhazi. Nga janari i vitit të ardhshëm, Barcelona do të garojë edhe në Copa del Rey. Triumfi ndaj Almerias i dha fund serisë së Barcelonës prej tri ndeshjeve pa fitore në të gjitha garat, por megjithatë e la klubin katër pikë prapa Real Madridit të vendit të dytë dhe gjashtë nga lideri i La Ligas, Girona. Megjithatë, Reali dhe Girona kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar se Barcelona që deri më tani i ka luajtur 18 ndeshje në kuadër të kampionatit spanjoll.

“Kjo ndeshje me Almerian mund të ketë qenë shumë e mirë për ne”, tha Xavi. “Pjesa e parë ishte pikërisht ajo që ne nuk duhet të bënim, e dyta ishte pikërisht ajo që duhet të bënim”.

Barcelona do ta mbyllë vitin e saj me një miqësore kundër klubit meksikan America këtë javë në Shtetet e Bashkuara të këtij. Ndeshja e parë e Barcelonës vitin e ardhshëm është më 4 janar në Las Palmas në kuadër të La Ligas.