Qendra Bradley Waldow ka pranuar se të enjten mbrëma ka shënuar dy pikët më të rëndësishme në karrierë. Bëhet fjalë për pikët me të cilat ia siguroi titullin e kampionit skuadrës së Pejës. Waldow regjistroi “double-double” me 20 pikë e 10 kërcime për ta ndihmuar Pejën ta mposht Trepçën 93:91, të enjten mbrëma në Mitrovicë në ndeshjen e pestë dhe të fundit të serisë finale të plejofit. Waldow gjatë gjithë edicionit është shquar me kontribut të madh te Peja dhe kështu ishte edhe të enjten mbrëma në “Minatorin” e zjarrtë.
Mirëpo, dy pikët e fundit nuk krahasohen me të tjerat që i realizoi qendra amerikane gjatë ndeshjes. Fituesi u vendos pas vazhdimit prej pesë minutave.
Waldow ishte afër koshit dhe përcolli gjuajtjen e Larry Thomasit. Topi nuk përfundoi në kosh dhe Waldow bëri kërcim të suksesshëm në sulm dhe realizoi pikët e fitores. Trepçës i mbeti kohë prej 1.2 sekonda, e pamjaftueshme për të realizuar. Kështu festa ishte për pejanët.
Waldow, i shquar po ashtu me sjellje sportive, insiston se titulli i kampionit është më i madh dhe më i rëndësishëm sesa pikët e tij. Ai natyrisht vlerëson shënimin e fundit të kampionatit.
Prej se iu bashkua Pejës në fillim të edicionit, synimi i Waldowit ishte kthimi i titullit pas një dekade, mision që u kompletua me sukses.
“Ishin pikët më të rëndësishme, por fitimi i një kampionati është gjithmonë dhe mbetet momenti më i madh i jetës. Është diçka fantastike dhe ndjenjë që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Seria finale ishte një përvojë e mahnitshme që të gjithë basketbollistët ëndërrojnë ta luajnë dhe përjetojnë”, ka thënë Waldow të premten për KOHËN. “Ne besuam që nga fillimi se do të fitonim, pasi i kishim të gjitha elementet për një sukses të tillë. Por kishim nevojë vetëm për sistemin e duhur që të shkëlqenim”.
Edhe pse u shpall kampion, Waldow ende nuk po mund të besoj se si Trepça kishte përparësinë e terrenit vendas në serinë finale ndaj Pejës, duke pasur parasysh se mitrovicasit edicionin e rregullt e mbyllën në pozitën e katërt kurse pejanët në të dytën.
“Ende nuk e kuptoj se si federata i lejoi Trepçës të ketë avantazhin e terrenit edhe pse ishte e katërta. Por ishte mirë ta fitonim titullin në Mitrovicë, për shkak të mënyrës se si federata na trajtoi gjatë gjithë edicionit”, shtoi Waldow, i cili pati mesatare prej me 12 pikë e 10 kërcime për ndeshje.
Përderisa Waldow shënoi pikët më të rëndësishme, amerikani tjetër i Pejës, Jalen Tate pati njërën prej ndeshjeve më të mira. Paraqitja e mirë në ndeshjen e pestë finale nuk iu shpërblye vetëm me titullin e kampionit, por edhe me çmimin për lojtarin më të vlefshëm (MVP) të serisë finale. Tate ndeshjen përmbyllëse e përfundoi me 16 pikë, 8 kërcime e 6 asistime.
Fundori Tate thekson se e mbylli një edicion përrallor në karrierën si profesionist.
“Të jesh kampion është thjesht e mahnitshme duke pasur parasysh se ishte një edicion i gjatë dhe i mundimshëm, në të cilin përjetuam edhe zhgënjime. Por, në fund e gjithë kjo u shpërblye në mënyrën më të mirë të mundshme. Është diçka madhështore ta mbyllësh edicionin me titullin e kampionit dhe çmimin MVP. Në fakt, mund të quhet një garë tjetër e suksesshme duke pasur parasysh se dolëm edhe nënkampion në Ligën Ballkanike”, u shpreh Tate. “Seria finale ishte shumë argëtuese për tifozët. Ishte thjesht mahnitëse t'i shihje ata të mishërojnë dëshirën me lojtarët dhe trajnerët për të fituar kampionatin. Trepça bëri një punë të shkëlqyeshme në një ndeshje shahu dhe për këtë, duhet dhënë të gjitha meritat. Por përfundimisht fitoi kultura jonë që ndërtuam në gjysmën e dytë të edicionit për të qenë ekipi më i fortë”.
Tate dhe Waldow ishin të huajt e vetëm që mbijetuan gjatë tërë edicionit te Peja. Ata iu bashkuan ekipit në fillim të edicionit dhe u larguan me kokën lart. Edhe kanadezi Devoe Joseph ishte ndër më të merituarit në suksesin e Pejës.
Joseph shquhej për saktësinë e tij nga distanca dhe në ndeshjen e pestë finale realizoi katër herë nga tetë tentime për tri pikë, për ta mbyllur duelin me 21 pikë të realizuara. Ai ishte njëri prej tre të huajve që erdhën në fillim të këtij viti për të zëvendësuar treshen e larguar: Khaliq Spicer, Rodney Purvis e Isiah Umpigi. Krahas Devoe Joseph, ekipin e kompletuan Larry Thomas e Marvin Jefferson. Thomas po ashtu ishte i rëndësishëm, derisa Jefferson ishte më shumë mbështetje për Waldowin.
“Jam i gëzuar që arrita ta ndihmoj ekipin për ta përmbushur misionin që e kishte prej fillimit të edicionit. Ne të gjithë luftuam deri në fund dhe secili prej lojtarëve kontribuoi në mënyra të ndryshme për titull. Është ndjenjë e mrekullueshme ta shpallesh kampion”, theksoi Joseph. “Seria finale ishte shumë luftarake dhe shkoi në ndeshjen e pestë, e cila u vendos pas vazhdimeve dhe atë në sekondën e fundit. Ndjenjë e pabesueshme fitimi i këtij titulli me Pejën pas një kohe të gjatë”.
Kontribut të madh në sukses kanë dhënë edhe vendorët, sidomos Arti Hajdari, Arian Qallaku e Alban Veseli.