Në luftën e Ukrainës ka vdekur olimpisti i parë. Peshëngritësi Oleksandr Pielieshenko, që përfundoi i katërti në kategorinë deri 85 kilogramë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, është vrarë duke mbrojtur vendin e tij, Ukrainën, të dielën.
Kjo është konfirmuar nga Komiteti Olimpik Nacional i Ukrainës. Sipas njoftimit, Pielieshenko u vra gjatë operacioneve luftarake.
“Që në ditët e para të pushtimit të plotë, Oleksandr u bashkua në radhët e Forcave të Armatosura. Dje morëm lajmin e hidhur për vdekjen e tij”, ka njoftuar Komiteti olimpik ukrainas.
Federata e Peshëngritjes e Ukrainës nderoi po ashtu 30-vjeçarin Pielieshenko. Ai ishte kampion i dyfishtë i Evropës, por nuk kishte garuar qëkur doli pozitiv për doping, në vitin 2018.
“Me pikëllim të madh ju njoftojmë që sot ka pushuar së rrahuri zemra e mjeshtrit të nderuar të sportit të Ukrainës, dy herë kampionat evropian në peshëngritje, Oleksandr Pielieshenko”, thuhet në një deklaratë të shoqëruar me një fotografi të peshëngritësit me veshje ushtarake. “I shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes dhe të gjithë atyre që e njohën Oleksandrin”.

Një tjetër olimpist ukrainas, Vladyslav Heraskevych, ka thënë se 450 ukrainas të lidhur me sportin profesionist kanë vdekur në luftë.
“Këta njerëz është dashur të zhvillojnë sportin në vendin tonë dhe të jetojnë jetën e tyre. Por ata tashmë janë vrarë”, ka thënë ai. “Në të njëjtën kohë sportistët rusë, që përkrahin luftën, po garojnë në sportin ndërkombëtar. Nuk mund ta kuptoj se si kjo është e mundur. Kjo është çmenduri”.
Vdekja e Pielieshenkos do të sjellë të tjera pyetje lidhur me vendimin e Komitetit Olimpik
Ndërkombëtar për të lejuar disa rusë të garojnë si sportistë “neutralë” në Lojërat Olimpike Verore që mbahen në Paris. Vendimi u mor përkundër refuzimit të Ukrainës.
IOC-ja pret që të paktën 36 sportistë rusë të kualifikohen për Lojërat Olimpike. Por rusët që publikisht përkrahin luftën në Ukrainë apo kanë lidhje me ushtrinë, do të ndalohen nga paraqitja në Paris.
Rusët që shkojnë në Paris nuk do të lejohen në ceremoninë hapëse. Flamuri rus nuk do të shfaqet e himni rus nuk do të intonohet. Po ashtu Rusia nuk lejohet në sportet ekipore. Të njëjtat kufizime aplikohen edhe për Bjellorusinë.
Pritet që ekipi i Rusisë të përbëhet nga 10 deri në 12 xhudistë, disa mundës dhe disa prej tenistëve më të mirë në botë, duke përfshirë edhe ish-kampionin e US Open, Daniil Medvedev. Të paktën tre çiklistë rusë dhe një garues në trampolinë pritet të jenë po ashtu në Lojërat Olimpike.
Në “Tokio 2020” Rusia kishte dërguar 335 sportistë, të cilët kishin fituar 20 medalje të arta dhe 71 medalje gjithsej. Ata kishin garuar pa simbole nacionale në Tokio në vitin 2021 dhe në Lojërat Olimpike Dimërore në vitet 2018 e 2022, për shkak të skandalit me doping, të sponsorizuar nga shteti.