Sport

Volejbollistët e rinj të Kosovës i presin ndeshje të vështira në Gjakovë

Volejboll

Njëri prej pesë turneve të raundit të dytë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të këtij viti për volejbollistët e grupmoshës U18 do të mbahet në Gjakovë.

Prej të enjtes deri të shtunën në palestrën “Shani Nushi” do të zhvillohen nga dy ndeshje në ditë. Pos Kosovës U18 do të garojnë edhe Çekia, Danimarka e Estonia.

Të enjten prej orës 17:00 është ndeshja Estonia – Çekia, ndërsa prej orës 19:30 takohen Kosova e Danimarka. Të premten janë ndeshjet Çekia – Danimarka e Estonia – Kosova, ndërsa të shtunën zhvillohen takimet Danimarka – Estonia dhe Çekia – Kosova.

Turnetë tjerë të raundit të dytë të kualifikimeve zhvillohen në Itali, Letoni, Spanjë e Kroaci.

Në janar, Kosova U18 i luajti ndeshjet e raundit të parë kualifikues. Raundi i parë organizohet në bazë të zonave. Kosova U18 luajti në zonën e Ballkanit. Në fazën grupore pësoi 3:0 në sete nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut. Për vendin e pestë është dashur të luajë me Serbinë. Por kjo përfaqësuese nuk doli në terren, me arsyetim se ka shumë lojtarë të sëmurë. Fitorja me rezultat zyrtar, 3:0, i takoi Kosovës.

Edhe raundi i dytë kualifikues është shumë sfidues për Kosovën, me gjasë më shumë se i pari. Secila fitore eventuale do të ishte e arritur shumë e madhe për volejbollin kosovar.

Javën e kaluar volejbollistet e Kosovës U20 luajtën në Sllovaki në kuadër të raundit të dytë kualifikues për “Euro 2024”. Nuk e fituan asnjë set. Pësuan 3:0 në sete nga Sllovakia, Spanja e Greqia.

Në volejboll, njëjtë si në futboll, basketboll e hendboll, rezultatet e përfaqësueseve të reja nuk janë ato që synohen. Fitoret janë të rralla, e humbjet me rezultat të lartë thuajse të zakonshme.

Tenistet e Kosovës mposhtin Maltën

Përfaqësuesja e Kosovës në tenis e ka shënuar edhe fitoren e dytë në “Billie Jean King Cup”, që është Botërori në konkurrencë ekipore te femrat.

Të mërkurën në Vilnius të Lituanisë, Kosova fitoi 3:0 ndaj Maltës.

Adrijana Lekaj dominoi plotësisht në meçin e parë duke fituar 6:0, 6:0 ndaj Carla Baldacchinos. Në meçin e dytë, Arlinda Rushiti fitoi 2:0 në sete ndaj Emma Montebellos. Të dy setet përfunduan 6:4.

Në çifte, Rushiti e Lekaj fituan 7:6 e 6:4 ndaj Montebellos e Pellicanos.

Kosova garon në Grupin II, që është nivel mesatar i ngjarjes globale. Të hënën fitoi 2:1 ndaj Gjeorgjisë, ndërsa të martën pësoi 3:0 nga Egjipti.