Formën e mirë që e ka treguar në ndeshjet e fundit të Superligës së Kosovës në basketboll, skuadra e Vëllaznimit synon ta vazhdojë edhe kundër Bashkimit. Në katër ndeshjet e fundit Vëllaznimi ka shënuar po aq fitore për t’u ngritur në pozitën e pestë në tabelë me 12 pikë, një më shumë se Bashkimi. Në xhiron e kaluar Vëllaznimi ia shkaktoi humbjen e parë këtë edicion Pejës, ndërsa para kampiones në fuqi e ka mposhtur edhe Sigal Prishtinën, Istogun e Golden Eagle Yllin.
Për dallim prej Vëllaznimit, skuadra e Bashkimit nuk ka treguar formë të mirë në xhirot e fundit, ku ka regjistruar katër humbje rresht.
Dueli mes Vëllaznimit dhe Bashkimit zhvillohet të shtunën në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, prej orës 17:00, dhe i takon xhiros së nëntë të elitës së basketbollit kosovar.
Te Vëllaznimi synojnë të triumfojnë edhe në këtë ndeshje, por kanë pranuar se nuk do të jetë lehtë. Trajneri i ekipit gjakovar, Josip Plantak, ka vlerësuar lart Bashkimin, ndërsa ka shtuar se pret edhe përkrahjen e madhe të publikut.
“Kemi punuar dhe jemi përgatitur gjatë tërë javës për këtë ndeshje, që nuk do të jetë aspak e lehtë. Ne jemi në formë të mirë, të cilën duam ta vazhdojmë. Besoj se do ta kemi edhe përkrahjen e publikut dhe pres të bëjmë një paraqitje tjetër të mirë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund ta vazhdojmë ritmin e fitoreve”, ka thënë Plantak.
Ndërkohë prizrenasit udhëtojnë për fitore në Gjakovë. Me triumf eventual, Bashkimi do t’i jepte fund serisë negative prej katër disfatave.
Trajneri i Bashkimit, Edin Kërveshi, ka thënë se janë përgatitur mirë për këtë ndeshje, të cilën e ka vlerësuar si tejet të rëndësishme për ekipin e tij. Te Bashkimi në këtë ndeshje do të debutojë qendra amerikane, Bradley Waldow, i cili iu bashkua ekipit nga Prizreni ditë më parë. Waldow edicionin e shkuar u shpall kampion i Kosovës me Pejën dhe te Bashkimi po shihet si përforcim i rëndësishëm.
“Sigurisht na pret një ndeshje e vështirë duke pasur parasysh formën e mirë të Vëllaznimit, por edhe ekipin e mirë që posedon. Jemi përgatitur dhe shpresoj që me një angazhim maksimal dhe lojë të mirë të kthehemi tekfitorja”, ka theksuar Kërveshi.
Të shtunën do të luhet edhe një ndeshje tjetër.
Në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, Istogu do të jetë në cilësinë e vendasit përballë Golden Eagle Yllit, në ndeshjen që starton prej orës 19:00. Ylli është i katërti në tabelë me 12 pikë dhe në seri prej tri fitoreve. Istogu, që zë vendin e fundit, ka vetëm një fitore karshi shtatë humbjeve.
Dy ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje, të parapara të luhen të dielën, janë shtyrë për 29 nëntor. Ky është vendimi që e ka marrë FBK-ja në bashkëpunim me klubet për shkak të angazhimeve që Peja dhe Trepça do t’i kenë mesjavën e ardhshme në FIBA Europe Cup. Ndeshjet e shtyra janë Peja – Proton Cable Prizreni dhe Sigal Prishtina – Trepça.