Sport

Vëllaznimi kërkon “mrekullinë” ndaj Prishtinës

Basketbollistët e Vëllaznimit kanë mision të vështirë deri në fund të pjesës së rregullt të kampionatit në Superligën e Kosovës. Në elitën e basketbollit kosovar kanë mbetur edhe pesë xhiro për t’u zhvilluar.

Gjatë javëve të ardhshme Vëllaznimi do të përpiqet ta ruajë pozitën aktuale në tabelë, e cila i garanton pjesëmarrjen në plejof. Vëllaznimi është i gjashti me 31 pikë, një më shumë se Ponte Prizreni që është në vendin e shtatë që dërgon në plejaut. Nuk do të jetë lehtë për ekipin nga Gjakova, i cili ka ndeshje të vështira përpara. Ndeshjen e radhës Vëllaznimi e luan kundër Sigal Prishtinës, të shtunën prej orës 17:00 në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Kjo ndeshje i takon xhiros së 24-t.

Te Vëllaznimi kanë pranuar se do të jetë vështirë ndaj Prishtinës, e cila është në formë të lartë dhe mban pozitën e parë në tabelë. Prishtina i ka 40 pikë, sa i ka edhe Golden Eagle Ylli në vendin e dytë. Prishtina ka vetëm një humbje në 14 ndeshjet e fundit kampionale. Vëllaznimi nuk di për fitore prej xhiros së 20-të, ndërsa trajneri Josip Plantak pret një paraqitje të mirë të ekipit të tij përballë Prishtinës. Ai ka pranuar se Prishtina mbetet favorite. Trajneri kroat pret edhe përkrahjen e tifozëve të Vëllaznimit. Prej kësaj xhiroje Federata e Basketbollit të Kosovës ka lejuar kthimin e tifo-grupeve në mënyrë të organizuar në palestra.

“Sigurisht Prishtina mbetet favorite. Është në formë shumë të mirë, prin në tabelë dhe ka një ekip të fortë. Personalisht pres nga ekipi im që të luajë një lojë të mirë dhe të japë maksimumin. Është me rëndësi të luajmë të fokusuar si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Po ashtu edhe përkrahja e tifozëve tanë do të jetë e rëndësishme që të japim më të mirën”, ka thënë Plantak.

Të shtunën, po ashtu prej orës 17:00, luhet edhe një duel tjetër i kësaj xhiroje. Në palestrën “Minatori” në Mitrovicë skuadra e Trepçës e pret Rahovecin. Trepça vlerësohet favorite e madhe ndaj Rahovecit, pas triumfit në Kupën e Kosovës dhe formën e mirë që po e tregon me trajnerin Engin Gençoglu. Ndërkohë Rahoveci edhe pse zë vendin e fundit dhe është pa gjasa për t’i shpëtuar rënies, nuk po dorëzohet dhe po përpiqet ta mbyllë sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Xhiron e shkuar, Rahoveci e mposhti Vëllaznimin për suksesin e tretë këtë edicion, që i mundësoi të ngrihet në kuotën e 26 pikëve. Trepça është e katërta me 37 pikë.

Të dielën zhvillohet një ndeshje. Prej orës 17:00 është derbi i qytetit të Prizrenit, ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Bashkimit. Në këtë përballje Ponte Prizreni është vendas dhe ka zgjedhur palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec për ta zhvilluar ndeshjen pasi në palestrën “Sezai Surroi” ende nuk kanë përfunduar punët e renovimit.

Xhiroja do të mbyllet me duelin mes Golden Eagle Yllit dhe Pejës që luhet në Suharekë të martën prej orës 19:00. Ylli vjen pas humbjes së thellë që e pësoi në mesjavë nga Sigal Prishtina, ndërsa Peja nën trajnerin e ri, Rami Hadar, ka tri fitore në po aq ndeshje të luajtura në të gjitha garat.

Këtë javë Peja shënoi dy fitore brenda dy ditëve në kuadër të Ligës Ballkanike në Bullgari.

Superliga – 24

E shtunë (17:00)

Trepça – Rahoveci

Vëllaznimi – S. Prishtina

E diel

P. Prizreni – Bashkimi (17:00)

E martë

G.E. Ylli – Peja (19:00)


1. S. Prishtina 23 40

2. G.E. Ylli 23 40

3. Peja 23 39

4. Trepça 23 37

5. Bashkimi 23 33

6. Vëllaznimi 23 31

7. P. Prizreni 23 30

8. Rahoveci 23 26