Sport

Vëllaznimi e Ponte luajnë për vendin e fundit që dërgon në plejof

Basketbollistët e Vëllaznimit po synojnë edhe fitoren e katërt ndaj Ponte Prizrenit për të siguruar mundësinë që të luajnë në plejof. Në tri ndeshjet e para të pjesës së rregullt të këtij edicioni, Vëllaznimi e ka mposhtur Ponte Prizrenin, ekip me të cilin përballet të shtunën prej orës 17:00 në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Kjo ndeshje i takon xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në basketboll, ndërsa skuadrat janë më pikë të barabarta në tabelë. Kanë nga 36 pikë të mbledhura, ndërsa Ponte Prizreni aktualisht është i gjashti në tabelë për shkak të koshdallimit më të mirë se Vëllaznimi që renditet në pozitën e shtatë.

Me renditjen aktuale Ponte Prizreni do të luante në plejof, ndërsa Vëllaznimi në plejaut. Megjithatë, ekipi nga Gjakova po synon t’i ndryshojë gjërat në duelin direkt me ekipin nga Prizreni. Madje për këtë ndeshje Vëllaznimi ka hapur dyert e palestrës për tifozët, që ta përkrahin në synimin për ta mposhtur rivalin për një vend në plejof. Deri në fund të pjesës së rregullt kanë mbetur edhe dy xhiro, por dueli në Gjakovë pritet t’i qartësojë gjërat për plejof dhe plejaut.

Gjashtë ekipet e para avancojnë në garat e plejofit, ndërkohë ekipi i parafundit (shtatë) luan në plejaut. I fundit (i teti), që është Rahoveci, largohet nga elita e basketbollit kosovar.

Te Vëllaznimi e kanë parasysh rëndësinë e ndeshjes dhe insistojnë se janë përgatitur maksimalisht. Po ashtu shpresojnë edhe në përkrahje të fuqishme të tifozëve. Vëllaznimi ndaj Ponte Prizrenit futet pas një serie prej tri humbjeve, ndërsa trajneri Josip Plantak beson në fitoren e ekipit të tij.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme e cila vendos për plasman në plejof. Kështu që këtë e kemi parasysh dhe do të mundohemi të japim gjithçka nga vetja për të fituar dhe festuar me tifozët tanë. Sigurisht nuk do të jetë lehtë për shkak se Ponte është një ekip shumë i rrezikshëm dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm. Personalisht pres një përballje të fortë dhe e cila do të vendoset nga detajet e vogla”, është shprehur Plantak.

Edhe te Ponte Prizreni besojnë në fitore për ndeshjen më të rëndësishme të edicionit. Basketbollisti Meriton Ismaili, i cili në ndeshjet e fundit ka pasur paraqitje të mira, udhëton me optimizëm për në Gjakovë. Ponte Prizreni vjen pas fitores ndaj Rahovecit dhe Ismaili thotë se ekipi është maksimalisht i motivuar për të triumfuar ndaj kuqezinjve.

“Është ndeshja më e rëndësishme e sezonit, pasi do të jetë bileta e fundit për plejof të cilën duhet ta kapim. Jemi përgatitur mirë edhe pse kemi pasur shumë vështirësi për shkak të palestrës, por jemi gati. Vëllaznimin e njohim mirë dhe në Gjakovë shkojmë për fitore. Ne jemi favoritë në letër dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë”, ka thënë Ismaili.

Të shtunën prej orës 20:00, Sigal Prishtina e pret Rahovecin tashmë të dorëzuar.

Ndërkohë xhiroja do të mbyllet të dielën me dy ndeshje interesante. Në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, Golden Eagle Ylli e pret skuadrën e Trepçës prej orës 17:00. Ylli është i dyti në tabelë me 45 pikë, katër më shumë se Trepça që sipas të gjitha gjasave në plejof do të futet nga pozita e katërt. Ndërkohë, prej orës 20:00 në palestrën “Karagaçi” përballen Peja dhe Bashkimi. Peja është lidere me 45 pikë, ndërsa Bashkimi është i pesti në tabelë me 36 pikë dhe pa ndonjë ambicie. Bashkimi ka një ndeshje më pak të zhvilluar, pasi vikendin e shkuar nuk luajti me Prishtinën që kishte angazhime në ENBL League. Dy skuadrat e para në pjesën e rregullt kualifikohen direkt në gjysmëfinale të plejofit, ndërsa ekipet prej vendit të tretë deri në të gjashtin luajnë në serinë çerekfinale.

Superliga – 27

E shtunë

Vëllaznimi – P. Prizreni (17:00)

S. Prishtina – Rahoveci (20:00)

E diel

G.E. Ylli – Trepça (17:00)

Peja – Bashkimi (20:00)


1. Peja 26 45

2. G.E. Ylli 26 45

3. S. Prishtina 25 44

4. Trepça 26 41

5. Bashkimi 25 36

6. P. Prizreni 26 34

7. Vëllaznimi 26 34

8. Rahoveci 26 30