Çiklistja zvicerane, Muriel Furrer, ka vdekur pasi pësoi lëndim të rëndë në kokë në Kampionatin Botëror të Rrugës dhe Paraçiklizmit në Zvicër.
18-vjeçarja u rrëzua gjatë garës rrugore për juniorë, të enjten. Ajo u dërgua në spital me helikopter të emergjencës. Por nuk u mbijetoi plagëve.
“Me vdekjen e Muriel Furrer, komuniteti ndërkombëtar i çiklizmit humbi një garuese me të ardhme të ndritur. Unioni Ndërkombëtar i Çiklizmit dhe Komiteti Organizativ i Kampionatit Botëror i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve të Muriel Furrer dhe Federatës zvicerane të çiklizmit”, thuhet në një komunikatë të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit.
Me kërkesë të familjes së çiklistes, Botërori do të vazhdojë.
Furrer i fitoi dy medalje argjendi në kampionatin e Zvicrës.
Gjatë garës të mbajtur të enjten shiu thuajse nuk është ndalur. Siguria në çiklizmin rrugor është në qendër të vëmendjes në vitet e fundit. Vjet vdiq një çiklist nga Zvicra gjatë një tjetër aksidenti.