Te skuadra e Ballkanit janë të vendosur që të kthehen te fitorja në Superligën e Kosovës në futboll, që vazhdon këtë fundjavë pas pushimit dyjavor shkaku i ndeshjeve të përfaqësueseve.
Fitoren, kampioni në fuqi e synon në derbin e xhiros së 27-të kundër skuadrës së Gjilanit, në mënyrë që t’i japë fund krizës që e ka kapluar në xhirot e fundit.
Ndeshja Ballkani – Gjilani luhet të shtunën në Suharekë prej orës 15:00. Ballkani nuk di për fitore në pesë ndeshjet e fundit kampionale, ndërsa kjo seri ka bërë që ta humbë pozitën e parë në tabelë. Fitoren e fundit Ballkani e shënoi më 23 shkurt në udhëtim te Trepça ’89, përpara se t’i regjistrojë katër barazime e një humbje. Ka 51 pikë të mbledhura, një më pak se Drita që është lidere.
Mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi, tha të premten për KOHËN se u duhet patjetër fitorja ndaj Gjilanit, ndonëse ka pranuar se nuk do të jetë e lehtë. Ai këtë përballje e ka quajtur vetëm njërën prej dhjetë finaleve që e presin Ballkanin deri në fund të edicionit në të cilin synon mbrojtjen e titullit të kampionit.
“Është ndeshje kundër një prej skuadrave më të mira në ligë, gjë që e tregon edhe pozita në tabelë. Normalisht që do të jetë vështirë sepse është një finale për ne, ku duhet të kthehemi te fitoret pas një krize që e patëm. Shpresoj që ky pushim dyjavor na ka shërbyer për të mirë dhe se do të arrijmë ta fitojmë këtë ndeshje, e cila është njëra prej dhjetë finaleve që i kemi deri në fund në garën për titullin e kampionit”, ka insistuar Thaqi. “Duhet të kthehemi te fitoret, duhet ta marrim përgjegjësinë e kampionit dhe ta vazhdojmë rrugën dhe luftën deri në xhiron e fundit”.
Gjilani renditet i treti me 40 pikë të mbledhura dhe është larg garës për titullin e kampionit. Mirëpo, ekipi i Zekirija Ramadanit po synon ta ruajë këtë pozitë që siguron pjesëmarrjen në garat evropiane edicionin tjetër. Gjilani në këtë ndeshje futet pas barazimit 2:2 që e pati me Llapin në xhiron e kaluar.
Te Gjilani insistojnë se do të udhëtojnë për rezultat të favorshëm.
“Atmosfera brenda kampit është shumë e mirë, megjithëse i kemi disa mungesa të theksuara. Presim një ndeshje të vështirë, pasi që dimë kualitetet e kundërshtarit. Ne udhëtojmë për rezultat pozitiv që na mban brenda objektivave”, është shprehur Granit Jashari i Gjilanit.
Të shtunën prej orës 15:00 zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera.
Prishtina kthehet në stadiumin “Fadil Vokrri”. Pasi i luajti ndeshjet në Lipjan si vendase, Prishtina të shtunën në stadiumin e kryeqytetit e pret Trepçën ’89. Ndërsa në Podujevë do të zhvillohet dueli mes Llapit dhe Malishevës. Prishtina është e katërta me 35 pikë, dy më shumë se Llapi që renditet i pesti. Ndërkohë, 89-shi dhe Malisheva po luftojnë për të ikur nga zona e rënies. Të dyja ekipet kanë nga 29 pikë, por Malisheva është në vendin e shtatë, para Trepçës ’89, falë goldallimit më të mirë.
89-shi aktualisht është në pozitën që garanton plejautin.
Xhiroja do të mbyllet të dielën me dy ndeshje, që startojnë prej orës 15:00. Drita e pret në shtëpi Drenicën e vendit të fundit, ndërsa vëmendja do të jetë në Klinë, ku Dukagjini e pret Ferizajn. Dukagjini ka 32 pikë dhe renditet i gjashtë, ndërsa Ferizaj me katër pikë më pak është i parafundit. Ferizaj këtë vit në tetë ndeshje të luajtura në kampionat ka regjistruar katër fitore, karshi tri barazimeve dhe një disfate të vetme.
Superliga – 27
E shtunë (15:00)
Ballkani – Gjilani
Prishtina – Trepça ‘89
Llapi – Malisheva
E diel (15:00)
Dukagjini – Ferizaj
Drita – Drenica
1. Drita 26 15 7 4 48:25 52
2. Ballkani 26 14 9 3 43:25 51
3. Gjilani 26 10 10 6 26:27 40
4. Prishtina 26 9 8 9 32:27 35
5. Llapi 26 9 6 11 33:39 33
6. Dukagjini 26 9 5 12 25:27 32
7. Malisheva 26 7 8 11 40:41 29
8. Trepça ’89 26 7 8 11 34:42 29
9. Ferizaj 26 6 10 10 22:37 28
10. Drenica 26 6 5 15 22:35 23