Paraqitja e skuadrës së Dritës në ndeshjen e parë ndaj ekipit të madh nga Çekia, Viktoria Plzen, ka gëzuar pa masë trajnerin Akis Vavalis. Një paraqitje të tillë, ndoshta edhe më të mirë, trajneri nga Greqia pret edhe në ndeshjen e kthimit. Në ndeshjen e dytë Drita synon ta eliminojë Plzenin, ekip që edicionin e shkuar u paraqit në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Të enjten mbrëma Drita luajti pa gola në duelin e parë të rundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ndërsa ka mundur shumë lehtë edhe të shënojë fitore nëse Albert Dabiqaj do të ishte treguar më i saktë në fund të takimit. Ai në minutën e 86-të doli i vetëm para portierit, por gjuajti pranë shtyllës. Ndeshja e parë u luajt në Çeki.
Dueli i kthimit mes këtyre dy skuadrave zhvillohet javën e ardhshme në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Drita me përkrahjen e fuqishme të tifozëve synon të shkaktojë befasi duke e eliminuar ekipin çek.
“Jam më se i kënaqur me angazhimin e futbollistëve dhe lojën që e treguan në fushë pasi nuk u ndalën për asnjë moment. Ata u angazhuan shumë dhe nuk u dorëzuan deri në fund përballë një kundërshtari të fortë si Viktoria Plzen”, ka pranuar Vavalis të premten për KOHËN.
Vavalis tha se deri diku ka pritur që Drita t’i bëjë ballë Plzenit në ndeshjen e parë, por jo edhe deri në nivelin që e tregoi në fushë të enjten mbrëma. Sipas tij, skuadra funksionoi shumë mirë në çdo aspekt dhe e gjithë kjo erdhi si rezultat i përgatitjeve dhe stërvitjeve të forta që i patën për gjashtë javë. Dueli në Plzen ishte i pari sa u përket garave zyrtare për Dritën në edicionin 2023/24.
Si Drita ashtu edhe Plzeni garat në Ligën e Konferencës i startuan nga rundi i dytë, ndërsa ekipi çek ishte kundërshtari më i fortë i mundshëm në shortin e tërhequr muajin e shkuar.
“Realisht kam pritur të jemi në nivel të mirë, sepse për gjashtë javë futbollistët kanë punuar shumë në stërvitje duke mos kursyer asgjë nga vetja në fazën përgatitore. Po ashtu ata u treguan edhe shumë të pjekur duke shfaqur edhe përqendrim maksimal, ku nuk lejuan kundërshtarin që të shënojë”, u shpreh Vavalis.
Ndeshja në stadiumin “Doosan Arena” ka mundur shumë lehtë të ketë një kah tjetër, sikurse arbitri ta kishte ndëshkuar portierin e Plzenit, Jindrich Stanek, direkt me karton të kuq. Ai në minutën e 14-të e ndali në mënyrë të palejueshme sulmuesin e Dritës, Ardit Tahirin, që po shkonte i vetëm drejt portës. Stanek lëshoi portën dhe ndërhyri ndaj Tahirit jashtë zonës dhe i ndëshkua me karton të verdhë. Po të ishte përjashtuar nga loja portieri, Vavalis pranon se Drita do të mund ta kishte fituar ndeshjen.
Plzeni dominoi plotësisht duke rreshtuar rastet.
“Natyrisht se rrjedha e lojës do të ndryshonte sikur portieri i Plzenit të përjashtohej për ndërhyrjen ndaj Arditit. E them këtë për shkak se do të ishim me një lojtar më shumë në fushë për gati 80 minuta lojë. Por, në përgjithësi nuk kam dëshirë të mendoj për faktet që nuk ndodhën”, shtoi trajneri grek.
Sa i përket ndeshjes së kthimit, Vavalis tregohet tejet i matur. Ai thotë se sikurse në ndeshjen e parë, ashtu edhe në të dytën Plzeni do të jetë favorit përballë Dritës. Mirëpo paralajmëron se Drita do të luftojë dhe do të angazhohet deri në fund duke e kërkuar rastin e saj për të avancuar në rundin e tretë.
Skuadra që avancon tutje, në rundin e tretë kualifikues do të përballet me fituesin e ndeshjes Gzira United (Maltë) – Dudenlange (Luksemburg). Në duelin e parë, Gzira e ka mposhtur Dudenlangen me rezultatin 2:0.
“Mendoj se Plzeni është sërish favorit, por ne kemi gjasat tona dhe do të luftojmë deri në fund për to pasi ekziston mundësia”, ka insistuar Vavalis.
Drita prej edicionit 2018/19 paraqitet në garat e UEFA-s, ndërsa deri më tani arritjen më të madhe e ka deri në rundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës (2020/21) kur u eliminua nga Legia e Varshavës. Në dy edicionet e fundit, Drita është paraqitur në Ligën e Konferencës dhe në të dyja rastet është eliminuar në rundin e dytë kualifikues të kësaj gare. Herën e parë u eliminua nga Feyenoordi, ndërsa edicionin e shkuar nga Antwerpi. Plzeni është tjetër kundërshtar i nivelit të lartë për Dritën.