Pasi siguroi pjesëmarrjen në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup, Trepça synon të vazhdojë me fitore në Superligën e Kosovës në basketboll. Megjithatë, nënkampionen e pret një udhëtim i vështirë të enjten. Është mysafire e kampiones, Pejës, në ndeshjen që nis në orën 18:00 dhe luhet në palestrën “Karagaçi”. Kjo ndeshje që i takon xhiros së tretë është dashur të zhvillohej vikendin e shkuar por është shtyrë për të enjten për shkak të angazhimeve të Trepçës në kualifikimet e FIBA Europe Cup.
Javën e shkuar Trepça siguroi pjesëmarrjen për herë të parë në fazën e grupeve të kësaj gare, pasi e fitoi turneun kualifikues të mbajtur në Estoni, ku mposhti Tindastollin (Islandë) dhe Parnun (Estoni) për të dalë e para në Grupin C. Në FIBA Europe Cup do të paraqitet edhe Peja, e cila është zhvendosur në këtë garë pas eliminimit në çerekfinale të turneut kualifikues të Ligës së Kampionëve. Trepça do të garojë në Grupin G, ndërsa Peja do të jetë pjesë e Grupit H. Sa i përket kampionatit të Kosovës, të dyja ekipet kanë shënuar fitore në dy xhirot e para dhe janë të vetmet që ende nuk dinë për humbje. Megjithatë, të enjten njëra prej tyre do ta regjistrojë disfatën e parë në Superligë. Te Trepça besojnë në fitore ndaj Pejës, pasi janë të motivuar pas suksesit javën e shkuar ku siguruan pjesëmarrjen në gara të FIBA-s.
“Trepça dhe Peja janë dy ekipet më të përgatitura për momentin dhe sigurisht se kjo ndeshje do të jetë një derbi i fortë dhe me rivalitet të madh. Pas kthimit nga Estonia kemi punuar që të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen me Pejën dhe besoj se do të vazhdojmë me rezultate pozitive. Sigurisht që udhëtojmë për fitore në Pejë dhe shpresoj që të gjithë të kënaqen me basketbollin që do të shfaqet në këtë derbi”, ka thënë kapiteni i Trepçës, Valdrin Haxhiu.
Edhe te Peja insistojnë se janë të përgatitur dhe të gatshëm për fitore. Në fakt, këto dy ekipe janë takuar këtë edicion në finalen e turneut të Superkupës, të cilin e fitoi Trepça. Edicionin e shkuar Peja e mposhti Trepçën në serinë finale të plejofit për ta fituar titullin e kampionit pas një dekade.
“Jemi maksimalisht të përgatitur për ndeshjen me Trepçën, pasi kemi pasur kohë pothuajse dy javë që të bëhemi gati në çdo aspekt. Luajmë në shtëpi dhe me përkrahjen e madhe të tifozëve tanë presim të bëjmë paraqitje të mirë dhe sigurisht ta fitojmë këtë derbi”, ka thënë basketbollisti i Pejës, Meriton Ismaili.