Sport

Trepça, klubi më i mirë i vitit

KB Trepça

KB Trepça është shpallur nga KOHA klubi më i mirë në Kosovë për vitin 2024, në konkurrencë të meshkujve.

Trepça ka pasur një vit shumë të suksesshëm, ndërsa u shpall klubi më i mirë në një konkurrencë shumë të fortë.

Në nominim ishin edhe klubi i futbollit Ballkani, klubi i hendbollit Rahoveci, klubi i volejbollit Peja dhe klubi i futbollit Drita. Ballkani, Rahoveci e Peja janë, po ashtu, klube kampione, ndërsa Drita është e para pas stinorit vjeshtor në Superligë dhe kishte suksese në skenën evropiane.

Trepça u shpall klubi më i mirë i vitit 2024, pasi fitoi të gjithë trofetë e mundshëm në basketbollin kosovar e po ashtu turneun e Ligës Unike.

Pos kësaj, kaloi kundërshtarin e parë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, Keravnosin e Qipros. U ndal në gjysmëfinale të raundit kualifikues të Championsit dhe vazhdoi në FIBA Europe Cup, ku, megjithatë, i humbi të gjitha ndeshjet.

Çmimin për klubin më të mirë të vitit në konkurrencë të meshkujve e pranoi Izet Tahiri, drejtor i KB Trepça.