Trepça e ka nisur edicionin e ri ashtu si e përfundojë të kaluarin – me trofe.
Trepça është fituese e Superkupës së Kosovës në basketboll.
Në finale, të mërkurën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Trepça e mposhti Prishtinën.
“Xehetarët” triumfuan me rezultat 89:73. Trepça në edicionin e kaluar i fitoi gjithë trofetë – titullin e kampionit, Kupën e Kosovës, Superkupën dhe turneun e Ligës Unike.
Vlerësohet favorite edhe për edicionin e ri dhe këtë e dëshmoi në turneun e Superkupës.
Mitrovicasit në çerekfinale të Superkupës e mposhtën Borën.
Në gjysmëfinale fituan lehtë e thellë ndaj Golden Eagle Yllit.
Dhe të mërkurën e fituan edhe finalen ndaj Prishtinës.
Pas çerekut të parë të barabartë, shkëputja e Trepçës nisi në minutat e fundit të çerekut të dytë.
Rrjedhë të njëjtë ndeshja kishte edhe në minutat e parë të çerekut të tretë.
Trepça krijoi epërsi që më pas e mbajti deri në fund.
Çereku i dytë përfundoi 26:19 për Trepçën, ndërsa i treti 22:17.
Prishtina megjithatë nuk është dorëzuar deri në fund.
Në çerekun e katërt është afruar deri në gjashtë pikë, por jo edhe më shumë.
Ka pasur edhe tensione në fund, por jo edhe rikthim të Prishtinës.
Çereku i katërt përfundoi 27:22 për Trepçën.
Desmond Cambridge Jr i kishte statistikat më të mira te Trepça.
Ai ndeshjen e përfundoi me 15 pikë, katër kërcime e pesë topa të rrëmbyer.
Sammy Hunter i kishte 18 pikë e gjashtë kërcime.
Fundori Larry Thomas u dallua po ashtu me 13 pikë, pesë asistime e katër kërcime.
Fundori tjetër, Malik Johnson i kishte 11 pikë e gjashtë asistime.
Damire Burns i kishte 12 pikë e 10 kërcime për Prishtinën.
Jaleen Moore realizoi 20 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime, por i kishte edhe shtatë topa të humbur.
Jawachi Nzeakor i kishte 13 pikë, por jo me ndonjë efikasitet të lartë.
Turneu i Superkupës i lë vend garës në kampionat.
Pritet garë interesante, ndërsa Trepça e Prishtina do të jenëv prej skuadrave pretendente.
Skuadrat janë të mbushura me lojtarë të huaj, kryesisht amerikanë dhe ata pritet ta kenë fjalën gjatë gjithë kampionatit.