Fitorja ndaj Sigal Prishtinës do të ishte motiv shtesë për skuadrën e Trepçës para ndeshjeve të turneut kualifikues të FIBA Europe Cup.
Para se ta marrë rrugën drejt Estonisë, ku synon kualifikimin në fazën grupore të FIBA Europe Cup, Trepça do të përballet me Prishtinën në kuadër të Superligës së Kosovës në basketboll.
Trepça – Prishtina është derbi i xhiros së dytë, që nis të shtunën dhe mbyllet të dielën. Derbi do të luhet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë të shtunën, prej orës 19:00.
Në turneun kualifikues të FIBA Europe Cup, Trepça do të përballet me Tindastollin e Islandës, të mërkurën, dhe Parnun e Estonisë, të enjten. Ndeshjet i takojnë Grupit C të fazës kualifikuese. Nëse del e para në grupin kualifikues, Trepça do të paraqitet në stinorin e rregullt.
Te Trepça aktualisht janë të fokusuar te derbi kundër Prishtinës. Kështu ka insistuar Drilon Hajrizi të premten për KOHËN. Ai ka thënë se gjatë tërë javës kanë punuar dhe janë përgatitur për ta fituar derbin tradicional.
Hajrizi ka vlerësuar lart Prishtinën, por ka shtuar se Trepça ka përparësinë pasi luan në Mitrovicë dhe do ta ketë përkrahjen e tifozëve.
Si Trepça ashtu edhe Prishtina edicionin e kanë nisur me fitore. Këto dy skuadra janë përballur në turneun e Superkupës. Trepça e mposhti në gjysmëfinale Prishtinën, përpara se të triumfonte ndaj Pejës në finale dhe për ta nisur edicionin me trofe.
“Sigurisht që është një ndeshje e vështirë dhe besoj se do të jetë e fortë, duke pasur parasysh se si ne ashtu edhe Prishtina i kemi fituar ndeshjet e para. Jemi gati për këtë derbi dhe jemi përgatitur maksimalisht. Synimi është të fitojmë pasi luajmë në shtëpi, por nuk do të jetë lehtë për shkak se edhe Prishtina ka ekip të fortë. Ne duam të fitojmë për të shkuar të motivuar në Estoni, ku do ta kërkojmë kualifikimin në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup”, është shprehur Hajrizi.
Trepça në xhiron e parë triumfoi bindshëm ndaj Istogut në Rahovec. Ndërsa Prishtinës i nevojit vazhdimi prej pesë minutave për të triumfuar ndaj Prizrenit.
Edhe te Prishtina kanë insistuar se janë gati për duelin me Trepçën. Prishtinasit synojnë të kthehen me fitore nga udhëtimi i vështirë në Mitrovicë. Kështu ka thënë qendra Fisnik Rugova, i cili ka pranuar se nuk do të jetë lehtë duke pasur parasysh se Trepça ka ekip shumë të mirë.
“E kemi parasysh që Trepça ka ekip të fortë dhe nuk do të jetë aspak lehtë për ne të triumfojmë në Mitrovicë. Mirëpo kemi punuar mirë gjatë tërë javës dhe shkojmë me synimin për të fituar. Besoj se do të jetë një derbi i vërtetë, ashtu siç i ka hije basketbollit kosovar”, ka thënë Rugova.
Xhiroja e dytë e elitës së basketbollit kosovar do të hapet në Prizren. Skuadra e Bashkimit e pret Vëllaznimin e Gjakovës. Kjo ndeshje luhet në palestrën “Sezai Surroi” të shtunën, nga ora 17:00.
Bashkimi ka startuar me fitore të madhe. Në Suharekë triumfoi ndaj Golden Eagle Yllit, ndërsa Vëllaznimi pësoi në udhëtim te Peja.
Për Vëllaznimin, që drejtohet nga ish-trajneri i Bashkimit, Audrius Prakuraitis, kjo do të jetë ndeshja e dytë rresht në udhëtim.
Ndërkohë, të dielën do të luhen dy ndeshjet e tjera të xhiros së dytë. Pas fitores në shtëpi, kampionia në fuqi Peja do të jetë mysafire e Prizrenit, në ndeshjen që nis në orën 17:00. Xhiroja do të mbyllet me ndeshjen që luhet në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, prej orës 19:00. Takohen Golden Eagle Ylli dhe Istogu, skuadra që pësuan humbje në xhiron e parë. Ylli është favorit i madh.
Superliga – II
E shtunë
Bashkimi – Vëllaznimi (17:00)
Trepça – S. Prishtina (19:00)
E diel
Prizreni – Peja (17:00)
Ylli – Istogu (19:00)