Sport

Trepça dhe Peja synojnë hapin e parë drejt titullit të kampionit

Seria finale e plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll nis të mërkurën në Mitrovicë. Dueli i parë mes Trepçës dhe Pejës zhvillohet në palestrën “Minatori” prej orës 20:00. Të martën janë konfirmuar terminët e finales, ku përparësinë e terrenit vendës do ta ketë Trepça. Skuadra që shënon tri fitore do të shpallet kampione e edicionit 2022/23 të elitës së basketbollit kosovar.

Skuadrat nuk kanë pasur shumë kohë për të përgatitur finalen. Trepça të dielën mposhti Sigal Prishtinën për t’u kualifikuar në finale. Ndërkohë Peja të dielën luajti në finale të Ligës Ballkanike. Në Beroe të Bullgarisë pësoi nga skuadra izraelite Hapoel Beer Sheva.

Basketbollistit amerikan të Pejës, Jalen Tate, nuk i intereson se kush e ka përparësinë e terrenit. Fundori Tate e ka parasysh që duhet patjetër të fitohet një ndeshje në udhëtim për të pasur mundësi të mirë për titullin e kampionit. Tate e di se të mërkurën mbrëma në “Minatori” do të jetë vështirë. Ai e vlerëson Trepçën.

“Pavarësisht se ku luajmë ne duhet ta fitojmë një ndeshje në udhëtim për t’iu afruar edhe më shumë titullit të kampionit. Kështu që ne do të kërkojmë fitoren qysh në ndeshjen e parë dhe sigurisht që presim një përballje të fortë pasi edhe Trepça ka ekip të mirë”, ka pranuar Tate. “Me meritë jemi në finale dhe paraqitjet e mira, sidomos gjatë këtij viti, duam t’i kurorëzojmë me titullin e kampionit. Ky është synimi i të gjithëve në klub. Pres të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të tregojmë dëshirën tonë për fitore që nga fillimi i ndeshjes”.

Peja këtë edicion kishte synime të mëdha, por ende nuk ka arritur të fitojë trofe. U eliminua në çerekfinale të Superkupës dhe të Kupës së Kosovës.

Triumfi në Superligën e Kosovës do të ishte sukses i madh për Pejën, që nuk është shpallur kampion prej vitit 2013. Peja ka bërë ndryshime të mëdha gjatë edicionit, por ka gjetur stabilitetin me ardhjen e trajnerin izraelit Ramy Hadar. Tate gjatë gjithë edicionit ishte prej lojtarëve bartës.

Trepça po paraqitet në finalen e katërt këtë edicion. Tashmë ka fituar dy trofe. Triumfoi në Superkupën Mbarëkombëtare dhe në Kupën e Kosovës, ndërsa u mposht në finalen e Superkupës së Kosovës.

Edhe Trepça nuk e ka fituar titullin e kampionit të Kosovës për kohë të gjatë, saktësisht prej vitit 2012. Të hënën krah-qendra Will Daniels ka pranuar se seria finale do të jetë shumë e fortë. Basketbollisti amerikan megjithatë ka insistuar se titulli do të kthehet në Mitrovicë.

“Jam shumë i lumtur që jemi në finale të plejofit dhe tani na pret një seri shumë e fortë. Nuk e di se deri në sa ndeshje do të shkojë, por mund të them se do të kemi përballje të forta, pasi të dyja ekipet e duam me çdo kusht titullin. Megjithatë, do të jemi të përgatitur edhe për këtë seri finale”, ka thënë Daniels. “Mendoj se mund ta fitojmë titullin pasi tashmë e kemi dëshmuar se kemi ekip, kemi lojtarë, kemi staf të trajnerëve, organizim në klub dhe përkrahje të madhe nga tifozët”.

Trepça edicionin e rregullt e ka përfunduar në pozitën e katërt në tabelë, ndërsa Peja doli nënkampione. Për dallim prej Pejës që garat e plejofit i nisi prej gjysmëfinales, Trepça rrugëtimin drejt titullit e ka filluar në çerekfinale. “Xehetarët” në çerekfinale e eliminuan Bashkimin me rezultatin 2:0, ndërsa në gjysmëfinale ishin më të mirë se Sigal Prishtina (3:2).

Peja triumfoi ndaj Golden Eagle Yllit me rezultatin 3:1 në gjysmëfinale. Ylli në dy edicionet e fundit u shpall kampion i Kosovës. Tani Kosova do të ketë kampione të re, Trepçën apo Pejën.