Misioni i trajnerit është t’i stërvitë dhe të udhëheqë në gara sportistët. Por në disa sporte në Kosovë, trajnerët mbajnë edhe pozita udhëheqëse nëpër klubet e tyre.
Për shembull në karate.
Dy trajnerët e Kosovës në karate, Isak Curri dhe Leutrim Pepaj, janë të përfshirë në pozita të ndryshme udhëheqëse në shumë klube. Curri, si pak të tjerë, është i përfshirë në katër klube të karatesë, ndërsa Pepaj në tri.
KOHA ka siguruar disa kopje të regjistrimit të klubeve në Departamentin e Organizatave Joqeveritare, të cilat janë dërguar për licencim në Komisionin Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive, që është organ i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Curri e Pepaj përmenden shpesh.
Isak Curri është menaxher në klubin e karatesë As Prishtina. Curri në këtë klub bashkë me Leonora Cakollin dhe Bashkim Ibrahimin janë themelues. Emaili dhe numri kontaktues është i Isak Currit. Klubi është regjistruar për herë të parë më 24 shtator të vitit 2014. Adresa e OJQ-së, sipas dokumentit është në Prizren, salla e shkollës “Andon Zako Çajupi”.
Në klubin e karatesë Besa të Obiliqit, Isak Curri është bashkëthemelues me Faton Palojin dhe Agush Nazifin. Kryetar është Albinot Selmani, ndërsa regjistrimi është bërë me numër të telefonit dhe email të Currit. Klubi ka adresë shkollën fillore “Pandeli Sotiri” në Obiliq dhe është regjistruar më 12 janar 2012.
Ish-slektori i përfaqësueses seniore, Curri, po ashtu është bashkëthemelues te klubi i karatesë Besa e Lluzhanit, kryetar i të cilit është Sami Begolli. Është klub i regjistruar në vitin 2005. Themeluesi tjetër është Bashkim Maloku.
Isak Curri është edhe njëri prej tre themeluesve të klubit të karatesë Fushë Kosova, i regjistruar në vitin 2012. Fisnik Rama dhe Durim Haziri janë bashkëthemelues të klubit nga Fushë Kosova, që për kryetar e ka Bashkim Ibrahimin.
Curri aktualisht mban postin e trajnerit te Kosova. Ai pranon se është themelues i katër klubeve, por vetëm tek As Prishtina thotë se është trajner.
“Përpara i kam qel klubet pasi ke pasur të drejtën të jesh i autorizuar. Klubet i kanë trajnerët, bordet, kryesitë dhe janë funksionale, ndërsa unë iu ndihmoj vetëm në anën profesionale dhe iu ndihmoj ende. Të gjitha klubet i kam dërguar në Ministri. Veç tek AS Prishtina jam trajner dhe kryetrajner, te Besa jam në kryesi, ndërsa te të tjerët jam vetëm themelues. Themeluesit nuk po mund të ndërroheshin, sepse kam kërkuar të hiqem krejt. Unë i kam edhe 18 klube prapa që bashkëpunoj me to në aspektin profesional. Edhe në të ardhmen do t’iu ndihmoj klubeve të tjera që kanë nevojë. Të gjitha kanë kryesi, janë funksionale dhe unë vetëm në aspektin profesional. Edhe në faqet e klubeve jam aty pasi kanë kërkuar ato që të jetë emri edhe i atyre që japin kontribut për të mbetur në historinë e klubeve. Këto klube funksionojnë, kanë kampionë dhe aktivitete tërë kohën dhe nuk janë fiktive sikurse disa klube të tjera”, ka thënë Curri të mërkurën për KOHËN.
Selektori për kadetë dhe juniorë i Kosovës, Leutrim Pepaj, është kryetar i klubit të karatesë Yuko të Deçanit, ku bashkëthemelues janë Besnik Dibrani dhe Gentiana Gashi Pepaj. Kjo e fundit është kryetare e klubit E&E Wazari të Istogut, ku bashkëthemelues janë edhe Leutrim Pepaj dhe Besnik Dibrani.
Kjo nuk është e tëra.
Sipas dokumentacionit, Gentiana Gashi Pepaj dhe Leutrim Pepaj janë bashkëthemelues të klubit Prishtina Gold, kryetare e të cilit është Marigona Gashi.
Këto shtatë klube kanë qenë pjesë e Kuvendit të jashtëzakonshëm zgjedhor të 4 korrikut, që për kryetar nxori Besart Barutin.
Baruti dhe Nazmi Gashi udhëheqin njërin grup të komunitetit të karatesë. Tjetrin grup e udhëheq Avni Gashi, që doli kryetar nga Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor i mbajtur më 28 shtator.
Grupi i Besart Barutit dhe Nazmi Gashit kanë ftuar një tjetër Kuvend zgjedhor, i cili është caktuar të mbahet të shtunën.
Ligji për OJQ-të nuk ua ndalon personave përfshirjen në më shumë se një OJQ. Por kjo ka ndikim të madh në procese të ndryshme, sidomos zgjedhore. Trajnerët e klubeve ndikojnë edhe në përzgjedhjen e sportistëve për garat jashtë vendit.
Ka plot klube në Kosovë, jo vetëm në karate, që funksionojnë me vetëm një person, që në të shumtën e rasteve është trajneri. Por ka edhe plot klube, edhe në karate, që janë hapur me qëllime të tjera, për vota e për dominim në shifra ndaj grupeve rivale.