Futbollistët e Kosovës U21 i kënduan në dhomat e zhveshjes përzgjedhësit Afrim Tovërlani, pas pikës së fituar në Chemnitz kundër Gjermanisë U21.
Por trajneri Tovërlani thotë se meritat për pikën e madhe të fituar në udhëtimin e vështirë në Gjermani i kanë lojtarët.
Kosova U21 të premten barazoi pa gola me Shpresat e Gjermanisë, në ndeshjen që i ka takuar Grupit D të kualifikimeve për “Euro 2025”.
Shpresat e Kosovës janë në seri prej katër ndeshjeve pa humbje. Kanë një fitore e tri barazime. Kosova U21 ka fituar ndaj Izraelit me rezultatin 3:1, më 21 nëntor. Ndërsa kishte barazuar dy ndeshje rresht me Bullgarinë. Në ndeshjen e parë, më 17 tetor, kishte barazuar 1:1, ndërsa më 17 nëntor kishte luajtur 2:2.
Por barazimi me Gjermaninë është rezultati dukshëm më i madh.
Kosova U21 është në vendin e katërt në grup me nëntë pikë nga shtatë ndeshje. Polonia është lidere me 15 pikë nga shtatë ndeshje, kurse Gjermania renditet e dyta me 13 pikë nga pesë ndeshje. Para Kosovës është edhe Bullgaria me 12 pikë nga shtatë ndeshje.
“I falënderoj lojtarët të cilët janë më meritorët për angazhimin, djersën dhe mundin që e kanë dhënë. E di që shumëkush mund të mendojë edhe ndryshe, por nuk është lehtë të përballesh kundër Gjermanisë, së cilës ia dimë kushtet, nivelin e lojtarëve që paraqiten në Bundesliga 1 e Bundesliga 2. Rezultati i arritur në fushë ishte meritë e futbollistëve, për çka i përgëzoj. Kjo ndeshje i takon së kaluarës, duhet të përgatitemi për kundërshtarët e tjerë. Falënderoj edhe bashkëpunëtorët e mi që po japin kontribut të madh”, ka thënë Tovërlani për KOHËN të martën .
Ish-trajneri i shumë skuadrave kosovare thotë se Gjermania tashmë i takon së kaluarës.
Ai pret nga lojtarët të japin maksimumin edhe në ndeshjet e mbetura.
“Në çdo ndeshje të ardhshme ne duhet të hyjmë me të gjitha mundësitë që i kemi. Nuk mendoj për ndeshjen e fundit, por mendoj vetëm për ndeshjen e radhës. Fokusi do të jetë për ndeshjen e radhës”, ka shtuar Tovërlani.
Më 10 shtator Kosova U21 luan ndaj Izraelit. Dy ndeshjet e fundit i ka në tetor. Luan më 11 tetor ndaj Polonisë, kurse katër ditë më pas ndaj Estonisë.