Në ndeshjen e tretë të serisë finale të plejofit, në të cilën Trepçës i duhej më së shumti fitorja ndaj Pejës, në skenë doli Mikaile Tmushiq.
Reprezentuesi i Kosovës, Tmushiq, ishte ndër më meritorët për kthimin e madh të Trepçës. Skuadra mitrovicase, të enjten mbrëma në “Minatorin” e stërmbushur, deri në gjashtë minutat e fundit ishte në disavantazh dhe në ndjekje të rezultatit. Në fund Trepça triumfoi me shifrat 97:90 dhe tani është vetëm një fitore larg titullit të kampionit të Kosovës në basketboll. Trepça po avancon me rezultatin 2:1, kurse ndeshja e katërt është të dielën në Pejë.
Fundori Tmushiq për 35 minuta lojë pati 25 pikë të shënuara, 4 kërcime, 4 asistime dhe 2 topa të vjedhur. Tmushiq ka pranuar se kjo ishte njëra prej paraqitjeve të tij më të mira prejse i është bashkuar Trepçës. Ky edicion nuk ka qenë i lehtë për reprezentuesin e Kosovës duke pasur parasysh se në vjeshtë pësoi një lëndim dhe u detyrua të operohet. Qëndroi për hiq më pak se tre muaj jashtë parketit. Ai u kthye me sukses dhe po luan me mesatare prej 10 pikëve, 4 kërcimeve e 3 asistimeve për ndeshje.
“Sigurisht, mendoj se kjo është ndeshja më e rëndësishme që kam luajtur deri më tani dhe shpresoj që të vazhdoj me këtë ritëm deri në fund për ta ndihmuar ekipin drejt titullit të kampionit. Është e vërtetë që kam qenë i lënduar dhe isha tre muaj jashtë, por tani jam rikthyer dhe ndihem shumë mirë në çdo aspekt, qoftë edhe fizik”, është shprehur Tmushiq të premten.
Kontributi si në sulm ashtu edhe në mbrojtje në fitoren ndaj Pejës është vetëm konfirmim se Tmushiq mund ta shtyjë Trepçën drejt titullit, sukses që nuk e ka shënuar prej vitit 2012.
Kur bëhet fjalë për titullin e kampionit në Kosovë, Tmushiq është njëri prej lojtarëve që di më së miri se si të fitohet ky trofe. Ai këtë sukses e ka përjetuar me tri skuadra të ndryshme para se t’i bashkohej Trepçës si përforcim i madh vendor para fillimit të këtij edicioni. Në fakt, Tmushiq është kampion në katër edicionet e fundit, pa llogaritur atë të pandemisë që u anulua. Titullin e parë në Kosovë, Tmushiq e fitoi me fanellën e Bashkimit (2018), për të vazhduar me Prishtinën (2019) dhe Golden Eagle Yllin (2021, 2022).
“Do të ishte diçka madhështore të shpallem kampion edhe këtë edicion. Prejse jam pjesë e Trepçës ky ka qenë edhe synimi. Jam gati të bëjë të pamundurën me përvojën time për ta kthyer titullin në Mitrovicë pas një kohe kaq të gjatë”, ka shtuar Tmushiq.
Sipas tij, fitorja e dytë ndaj Pejës është shumë e rëndësishme. Trepça tashmë ka siguruar të paktën ndeshjen e pestë të cilën do ta luante në palestrën “Minatori”, nëse seria barazohet në duelin e radhës. Mirëpo, Tmushiq insiston se Trepça të dielën udhëton në Pejë për të fituar dhe për ta festuar titullin e kampionit edhe pse pranon se nuk do të jetë aspak lehtë. Ai vlerëson ekipin e Pejës.
“Fitorja e së enjtes ishte shumë e rëndësishme për faktin se tashmë e kemi siguruar ndeshjen e pestë të kësaj serie. Mirëpo ne nuk shkojmë të dielën në Pejë të dorëzuar, por të motivuar maksimalisht për të dhënë gjithçka nga vetja dhe ta fitojmë ndeshjen”, shtoi Tmushiq. “Mendoj se Peja luan shumë mirë dhe nuk është lehtë ta përcjellësh ritmin e lojtarëve të saj me gjuajtje të shumta nga distanca dhe tranzicion të shpejtë. Por, edhe ne kemi cilësitë dhe aftësitë tona që duhet t’i shfrytëzojmë me mençuri nëse duam ta fitojmë titullin e kampionit”.
Edhe pse tashmë ka fituar dy trofe me fanellën e Trepçës, Tmushiq insiston se ky ishte edicioni më i vështirë në karrierë. Ai më herët ka triumfuar me ekipin nga Mitrovica në Superkupën Mbarëkombëtare dhe Kupën e Kosovës. Trepça po e luan finalen e katërt këtë edicion, pasi ishte edhe në ndeshjen përcaktuese të Superkupës së Kosovës, të cilën e humbi nga Sigal Prishtina.
“Sa i përket këtij edicioni, lirisht mund të them se ishte njëri prej edicioneve më të vështira që i kam pasur në karrierën time. Kam pasur shumë ulje e ngritje, lëndime dhe ndërrime trajnerësh, por nuk jam dorëzuar. Megjithatë, më e rëndësishmja është që me bashkëlojtarët të qëndrojmë të bashkuar si një skuadër e vërtetë dhe mos të dorëzohemi deri në fund”, u shpreh Tmushiq.
Trepça suksesin në Superligë po e kërkon me trajnerin e katërt, Ilir Semanin, i cili debutoi me fitore ndaj Pejës. Selmani të mërkurën e zëvendësoi Engin Gençoglun që u largua papritur. Para turkut Gençoglu, në krye të Trepçës ishin edhe Alek Jonçevski e Lubomir Minchev.