Liga e Kampionëve

Tjetër përballje e zjarrtë në Champions: PSG – Barcelona

Futbollistet e PSG-se

Foto: Associated Press

Paris Saint-Germaini është ende duke kërkuar trofeun e parë në Ligën e Kampionëve. Por parisienët kanë nevojë për ambicie e jo presion në ndeshjen e parë çerekfinale ndaj Barcelonës. Kështu ka theksuar trajneri Luis Enrique të martën në konferencë për shtyp.

PSG-ja e Barcelona e luajnë ndeshjen e parë të mërkurën prej orës 21:00 në “Parkun e Princave” në Paris. 

PSG-ja së fundi arriti në gjysmëfinale në vitin 2021. Me titullin në Ligue 1 thuajse të siguruar dhe vendin në finale të Kupës së Francës, fokusi tani kthehet te gara të cilën klubi nga Parisi dëshiron ta fitojë më shumë se çdo gjë tjetër.

“Shpresoj që ambiciet tona ta tejkalojnë presionin”, ka thënë Enrique në konferencë për shtyp.
“Ne nuk po ndiejmë presion për momentin. Jemi të entuziazmuar që luajmë në këtë nivel dhe do të tentojmë të kualifikohemi në raundin e radhës. Gjatë fazës grupore e kam parë që lojtarët kanë marrë përgjegjësi dhe kjo na solli këtu”, ka shtuar Enrique.

Ai tashmë e ka fituar Championsin, si trajner i Barcelonës. Te Barça, Enrique i kaloi tetë edicione si lojtar. Por ai nuk e vlerëson përparësi faktin që e njeh klubin rival dhe trajnerin Xavi Hernandez.

“Xavin nuk e njoh fare si trajner. E njoh si lojtar, ishte bashkëlojtar i imi. E njoh Barcelonën shumë mirë dhe lojtarët po ashtu. Por nuk e di nëse ky është avantazh, ndoshta mund të jetë e kundërta”, ka shtuar Enrique.

Ai ka pranuar se Barça është ekip i rëndësishëm në aspektin emocional, për shkak të së kaluarës që kishte tek ajo. 

“Por kjo është punë dhe duhet të jem profesional”, ka vazhduar Enrique.

Ai ka shmangur pyetjet për Kylian Mbappen, duke theksuar se skuadra është në situatë të mirë këtë edicion. 

Masat e sigurisë do të forcohen pasi ministri i Punëve të Brendshme të Francës, Gerald Darmian, përmendi një “kërcënim të qartë nga Shteti Islamik që synon veçanërisht stadiumet”.

Derisa PSG-ja synon trofeun e parë në Champions, Barcelona synon ta kthejë lavdinë evropiane. Barça ka pesë trofe evropianë, të fundit në vitin 2015. Ka kaluar një krizë të thellë prej atëherë dhe tashmë është skuadër pretendente. Por fillimisht duhet ta kalojë Parisin dhe kjo nuk do të jetë e lehtë. Në La Liga, skuadra e Xavit thuajse ka humbur betejën me Real Madridin.

Madridi udhëheq me 75 pikë, ndërsa Barça është e dyta me 67. Gara në Kupën e Spanjës tashmë ka përfunduar, ndërsa Barcelona ishte ndalur që në çerekfinale. Kështu që i gjithë fokusi i skuadrës katalonjase është në Champions. Mbetet të shihet nëse do të mjaftojë për ta kaluar PSG-në në çerekfinale.

Të mërkurën mbrëma është edhe ndeshja tjetër çerekfinale mes Atletico Madridit dhe Borussia Dortmundit. Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin “Metropolitano” në Madrid nga ora 21:00.

“Do të mundohemi të shfaqim atë që duhet për të qenë në këtë garë. Është javë e rëndësishme, në Champions dhe në La Liga. Grupi e di rëndësinë që secili të jetë në formën më të mirë. Do të na duhen të gjithë lojtarët në gjendjen më të mirë. Duke punuar si grup shpresojmë të avancojmë tutje”, ka thënë trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone.

Trajneri i Dortmundit, Edin Terziq, ka theksuar se suksesi i Atleticos është i njohur dhe se kjo skuadër ka implementuar mënyrë të re të mbrojtjes me të cilën kanë vështirësi të gjithë. 

“Nuk do të jetë lehtë në stadiumin e Atleticos, por shpresojmë të kalojmë testin dhe të avancojmë. E dimë se si luftojnë lojtarët e Atleticos dhe se çfarë ekipi është ky. Por jemi të gatshëm të shfaqim më të mirën. Duhet të luajmë si ekip”, ka thënë Terziq.

Dy çerekfinalet e para janë zhvilluar të martën mbrëma.