Një organizatë ombrellë për grupet e tifozëve të futbollit ka ndërmarrë veprime ligjore që synojnë të sfidojnë autoritetet franceze që ndaluan tifozët që të marrin pjesë në disa ndeshje këtë fundjavë.
Shoqata Kombëtare e Tifozëve tha të premten se ia ka referuar çështjen gjykatës më të lartë administrative të Francës, pasi kërkon të kundërshtojë ndalimet e autoriteteve që synojnë katër ndeshje, përfshirë dy në nivelin më të lartë të ligës franceze. Ndalimet e urdhëruara nga qeveria franceze dhe autoritetet lokale erdhën pas vdekjes së një tifozi në Nantes fundjavën e kaluar.
Ministrja e Sporteve të Francës, Amelie Oudea-Castera, tha këtë javë se parandalimi i tifozëve që të udhëtojnë për t’i përkrahur klubet e tyre kur luajnë si mysafir ndaj rivalëve mund të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë pas një serie incidentesh këtë edicion. Megjithatë, grupi i tifozëve po e kundërshton fuqishëm një vendim të tillë dhe po pret ta shfuqizojë nëpërmjet gjykatës.
“Këto thirrje në asnjë mënyrë nuk synojnë të minimizojnë seriozitetin e tragjedisë të së shtunës së kaluar”, tha grupi. “Askush nuk mund të dyshojë në trishtimin e pamasë në tribunat franceze. Askush nuk mund të dyshojë në ndjenjën tonë të përgjegjësisë”.
Grupi argumentoi se është thelbësore që tifozët të lejohen të ndjekin ndeshjet që përfshijnë skuadrat si Reims, Lens, Auxerre dhe Bordeaux për të garantuar sigurinë për të gjithë, veçanërisht sepse shumë tifozë janë tashmë të mllefosur me ndalesën e autoriteteve.
“Qëllimi i qasjes sonë është të sigurojmë që këto ndeshje të zhvillohen në një atmosferë respekti dhe lirie”, tha grupi.
Skuadra e Reimsit tha këtë javë se tifozët nuk u lejuan të udhëtonin në Nice, sepse ndeshja në ligën franceze të dielën është identifikuar si “një rrezik i madh” për dhunë në tribuna.
Tifozët e Lyonit nuk u lejuan të merrnin pjesë në humbjen 3:0 të së mërkurës në Marseille dhe mbështetësit e Lensit janë ndaluar të udhëtojnë në ndeshjen e së premtes në Montpellier.
Në Francë, tifozët udhëtues ndalohen rregullisht nga ndeshjet me rrezik të lartë si ato mes rivalëve të ashpër Paris Saint-Germain dhe Marseille.
Ministrja Oudea-Castera sugjeroi që masa mund të përdoret më shpesh. Tifozët e Marseillet në “Stade Velodrome” vendosën pankarta duke protestuar kundër ndalimeve të tilla përpara ndeshjes së ekipit të tyre kundër Lyonit.
“Ndalohet udhëtimi në vendin e lirive. Sot më shumë se kurrë, liri për ultrasit”, thuhej në mesazhin e tyre, në një referencë për fansat e guximshëm të përshkruar shpesh si “ultras”.
Shoqata Kombëtare e Tifozëve tha se vendosi të mos kundërshtojë ndalimet e vendosura ndaj tifozëve nga vende të tjera për ndeshjet midis PSG-së dhe Nantes, Saint-Etiennet dhe Nimesit, Lorientit dhe Marseillet, si dhe Lyonit e Toulouset.
“Këto urdhra janë shumë të diskutueshme. Por këto ndeshje do të tërheqin turma shumë të mëdha. Është tepër vonë për të ndryshuar kornizën e tyre”, tha grupi.
Tifozi i Nantesit u vra pas një përleshjeje mes tifozëve përpara fitores 1:0 ndaj Nicet. Prokuroria publike ka nisur një hetim për vrasje me qëllim.