Sport

Thaqi pranon se Ballkani nuk është favorit në grup

Mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi ka pranuar se shorti nuk ishte aspak i lehtë për Ballkanin në Ligën e Konferencës.

Kampioni i Kosovës, do të paraqitet në Grupin C, së bashku me Dinamon e Zagrebit, Astanan dhe Viktoria Plzenin.

Sipas Thaqit, ekipet janë të forta por ka shtuar se Ballkani nuk do të dorëzohet në asnjërën prej ndeshjeve të grupit. Ai ka thënë se për dy muaj të gjithë kanë luftuar për t’u futur në fazën e grupeve dhe për këtë arsye do të japin më të mirën nga vetja për një paraqitje tjetër dinjitoze.

“Duhet të jemi realist dhe me këmbë në tokë, pasi nuk ka ekipe aspak të lehta në fazën e grupeve. Nuk jemi favorit dhe duhet pranuar këtë fakt, por assesi nuk do të dorëzohemi për shkak se kemi luftuar dy muaj për të arritur në këtë fazë. Kështu që, do të japim edhe energjinë e fundit nga vetja që të paraqitemi denjësisht”, ka thënë Thaqi për KOHËN. “E kemi parasysh se nuk do të jetë aspak lehtë por do ti shijojmë këto ndeshje dhe do të provojmë të nxjerrim më të mirën nga vetja”.