Shtëpia Evropiane e Futbollit ka thënë se topi që do të përdoret në “Euro 2024” do të jetë një ndihmë e madhe për arbitrat.
Sipas UEFA-s, topi do të ndihmojë në marrjen e vendimeve më të shpejta sa u përket ofsajdit dhe lojës me dorë. Topi, i cili do të përdoret për ndeshjet e Evropianit, që do të mbahet në Gjermani, njihet me emrin “Fussballliebe”.
Ky top është prodhuar nga kompania e njohur e veshmbathjeve sportive “Adidas” dhe përdor teknologjinë për të dërguar të dhëna në kohë reale për zyrtarët e ndeshjeve. Sipas kompanisë, topi do të përmbajë një mikroçip që do të rimbushet dhe që mund të dërgojë të dhëna të sakta në kohë reale. Topi ka një sensor dhe mikroçipi mund të zbulojë deri në 500 lëvizje në sekondë, që do të thotë se mund të regjistrojë me saktësi kur një top preket nga një lojtar.
UEFA thotë se topi do të ofrojë “një pasqyrë reale në çdo element të lëvizjes së topit, duke kontribuar në procesin e vendimmarrjes edhe të gjyqtarit që do të jetë në dhomën e VAR-it”. Në të vërtetë teknologjia cakton se kur ka ndodhur prekja e topit, por jo edhe me cilën pjesë të trupit. Mirëpo, zyrtarët e sistemit VAR pasi do të njoftohen për këtë prekje, do të përdorin imazhet nga kamerat, siç bëjnë tani, për të vendosur nëse ka pasur prekje të topit me dorë apo ndonjë pjesë tjetër. UEFA beson se duhet ta përshpejtojë procesin për vendime të tilla, së bashku me ofrimin e thirrjeve më të sakta për pozitë jashtë loje.
“Duke kombinuar të dhënat e pozicionit të lojtarëve me inteligjencën artificiale, inovacioni kontribuon në teknologjinë gjysmë të automatizuar për pozitë jashtë loje të UEFA-s dhe do të jetë çelësi për mbështetjen e vendimeve më të shpejta në ndeshje”, tha UEFA. “Teknologjia gjithashtu mund të ndihmojë zyrtarët e VAR-it të identifikojnë çdo prekje individuale të topit, duke reduktuar më tej kohën e shpenzuar për zgjidhjen e incidenteve për lojën me dorë dhe penalltitë”.
Kohët e fundit ka pasur kritika të mëdha për sistemin VAR në të gjithë Evropën, veçanërisht në Premier League. Shumë trajnerë që flasin hapur për mënyrën se si përdoret teknologjia.
Premier League vendosi të mos përdorë ofsajdë gjysmë të automatizuar këtë edicion, me sponsorin e saj “Nike” që ende nuk ka prodhuar një top me të cilin janë të kënaqur klubet e ligës më të fortë në botë. Kampionati Evropian nis më 14 qershor të vitit të ardhshëm dhe përfundon më 14 korrik. UEFA beson se brenda një muaji sa do të zgjasë ky turne, nuk do të ketë ankesa në lidhje me vendimet e gjyqtarëve, sidomos për pozitë jashtë loje dhe prekje të topit me dorë.