Sport

Tek Ylli nuk shqetësohen për startin e dobët, paralajmërojnë kthim të fuqishëm

Ardhja e qendrës Anthony Lee pritet të sjellë freski dhe rezultate pozitive te Golden Eagle Ylli, që ka pasur start tejet të dobët këtë edicion në Superligën e Kosovës në basketboll. Ekipi nga Suhareka të hënën e prezantoi qendrën e gjatë 206 centimetra, që ka përvojë në basketbollin ndërkombëtar. Zyrtarizimi i Lee u bë një ditë pas humbje së thellë që Ylli e pësoi në kuadër të xhiros së tretë të elitës së basketbollit kosovar. U mposht me rezultatin 99:74 nga Sigal Prishtina. Ishte humbja e dytë në tri xhirot e para të edicionit. Ylli ka pësuar edhe nga Bashkimi në xhiron e parë, ndërsa e ka mposhtur Istogun, ekipin që po debuton në elitën e basketbollit kosovar.

Tek Ylli pranojnë startin e dobët, por paralajmërojnë kthim të fuqishëm duke u nisur prej ndeshjes së ardhshme. Në vikend Ylli e pret në Suharekë skuadrën e Pejës, që është kampione në fuqi. Në këtë ndeshje pritet edhe debutimi i lojtarit të ri të Yllit.

“Prej ndeshjes së ardhshme lirisht mund të them se Ylli do të paraqitet me një fytyrë krejt tjetër dhe do të kthehet në mënyrën më të mirë të mundshme pas startit jo të mirë. Ardhja e përforcimit më të ri i ka dhënë freski ekipit, i cili është i gatshëm të reflektojë dhe këtë ta dëshmojë edhe në parket”, është shprehur drejtori i Yllit, Egzon Fetiu, të martën për KOHËN.

Sipas Fetiut, tani për tani ekipi është i kompletuar, por mund të ketë ndryshime ndërkohë. Thotë se do ta përcjellin situatën dhe do të reagojnë nëse është e nevojshme. Por me përbërjen aktuale suharekasit do të vazhdojnë të paktën deri në fund të vitit.

“Sigurisht se do të kemi edhe ndryshime ndërkohë në ekip. Por, për momentin ndihemi të kompletuar dhe do të vazhdojmë kështu për një periudhë. Ekipi gradualisht po komponohet dhe presim që rezultatet pozitive të vijnë”, është shprehur Fetiu.

Sipas tij, tek Ylli kanë pritur të kenë një start të vështirë. Fetiu thotë se ka ndikuar fillimi i stërvitjeve me vonesë, pa ndonjë arsye. Drejtori Fetiu thekson se trajneri Kostas Flevarakis po e vazhdon punën me intensitet për ta përgatitur ekipin sa më mirë dhe kjo do të shihet nga ndeshja në ndeshje.

“Ky start mund të them se nuk është aspak befasues për ne. Në fakt e kemi pritur të kemi një fillim të tillë dhe jemi pak në telashe për shkak se kemi filluar vonë me stërvitje. Por ekipi po vazhdon punën dhe po bëhet gati për të treguar fytyrën e tij të vërtetë dhe ambiciet që i kemi”.

Sa u përket synimeve, Fetiu thotë se Ylli këtë edicion është futur për ta kthyer titullin e kampionit, të cilin nuk arriti ta mbronte edicionin e kaluar. Ylli i ka fituar dy tituj kampioni dhe ka synime edhe në Kupën e Kosovës.

“Normalisht që Ylli edhe këtë edicion ka ambicie të mëdha. Synimet te Ylli nuk ndryshojnë kur dihet se vitet e fundit vazhdimisht kemi luftuar për trofe deri në fund dhe kemi fituar. Krahas titullit të kamponit, kërkojmë edhe kupën këtë edicion”.

Fetiu shton se Ylli ka fond të mirë lojtarësh vendorë e të huaj.

Besnik Bekteshi, që i është bashkuar Yllit para fillimit të këtij edicioni, ende nuk ka debutuar. Bekteshi ka luajtur në Gjermani, ndërsa tek Ylli ende nuk është aktivizuar për shkak se nuk posedon pasaportën e Kosovës. Ai pritet që së shpejti të pajiset me pasaportë kosovare dhe të jetë nën urdhrat e trajnerit Flevarakis si lojtar vendor.

“Besniku ende nuk ka luajtur për shkak se nuk ka pasaportë të Kosovës. Jemi në pritje të përfundimit të këtyre procedurave dhe pajisjes së tij me pasaportën kosovare për ta ndihmuar ekipin”, tha Fetiu.

Ylli ka pesë të huaj në radhët e veta. Krahas qendrës Lee, pjesë e Yllit janë edhe Dajaun Graf, Chris Harris, Henrik Shirko e Jalen Nesbitt.