Te skuadra e hendbollit Rahoveci kishin bindjen se do ta fitonin titullin e kampionit. Tani kanë bindjen se Rahoveci do të jetë për kohë të gjatë dominuese në hendbollin kosovar. Planet i kanë të mëdha.
Trajneri Verim Zherka thotë se ishte i bindur që Rahoveci do ta fitonte titullin e kampionit. Bindjen e tij e mbështet në organizimin e ekipit, disiplinën dhe profesionalizmin që lojtarët e tij kanë treguar gjatë gjithë edicionit. Ai ka falënderuar të gjithë lojtarët për angazhimin, drejtuesit e klubit për kushtet e ofruara dhe tifozët për përkrahje të madhe.
Pas dhjetë titujve rresht të Besa Famgasit, Rahoveci të mërkurën fitoi titullin e kampionit për edicionin 2023/2024. Madje “vreshtarët” titullin e parë në histori e fituan pikërisht në palestrën e Besës, atë “Karagaçi” në Pejë.
“Ne ishim të vendosur thellësisht që titullin do ta sjellim në Rahovec, sepse që nga fillimi i sezonit u pa forca dhe kualiteti jonë, por dua të theksoj që kjo ngritje e Rahovecit ka qenë një proces zinxhiror dhe se edhe viteve para këtij sezoni klubi ka pasur suksese dhe ngritje duke e falënderuar kolegun tim Leonardo Cula për punën e tij që pati gjatë kësaj faze të shpërthimit të KH Rahovecit”, ka thënë Zherka të enjten për KOHËN.
Në fakt, Rahoveci, që pak vjet më parë është konsoliduar si klub, ka dominuar gjatë gjithë edicionit në Superligë. Edicionin e kaluar ishte prej ekipeve më të mira, ndërsa këtë edicion ishte bindshëm më i miri.
Në stinorin e rregullt kishte vetëm një disfatë, nga Besa. Skuadrën pejane e kishte mposhtur tri herë. Skuadrat e tjera i kishte mposhtur nga katër herë. Në gjysmëfinale të plejofit, Rahoveci e kaloi lehtë Trepçën.
Finalen e plejofit e fitoi me 2:0 në ndeshje. Zherka është ndalur të flasë për rrjedhën e dy ndeshjeve ndaj Besës.
“Sa i përket ndeshjeve finale me Besën ne u përgatitëm maksimalisht dhe plani dhe e gjithë taktika ka qenë që Besën ta eliminojmë me dy ndeshje dhe se u dakorduam që ndeshjen e parë duhet të japim maksimumin tonë që në Rahovec të kemi rezultatin pozitiv edhe pse kemi qenë pak të ngarkuar në aspektin psikik mos vallë po na ndodh ndonjë befasi. Sa i përket ndeshjes së dytë në Pejë mund t’ju them lirisht se kemi qenë të gjithë të bindur që do të fitojmë për arsye se edhe jemi ekip më i mirë se Besa por edhe ata do ta kenë atë ngarkesën psikologjike që pastaj u pa edhe gjatë ndeshjes”, ka theksuar Zherka. “Edhe njëherë shfrytëzoj rastin t’i falënderoj lojtarët e mi, kryesinë e klubit KH Rahovecit, adhuruesit dhe qytetin e Rahovecit që ma dhuruan këtë gëzim të madh. Faleminderit nga zemra”.
Zherka ka thënë se shpejt do të ulen dhe do të diskutojnë me kryesin e klubit për të ardhmen. Ai pret që Rahoveci të ketë një të ardhme të ndritur.
Edhe kapiteni i Rahovecit, Ardian Osa, beson në planet e kryesisë.
“Është shpërblyer angazhimi dhe sakrifica e gjithë edicionit. Për këtë e falënderoj trajnerin, bashkëlojtarët dhe gjithë stafin e qytetarët e Rahovecit të cilët na kanë përkrahur si asnjëherë më parë. Ky është vetëm fillimi. Kryesia është duke punuar të afrojë disa lojtarë cilësorë. Nëse na kompletohet ekipi edhe me disa prurje të reja, mendoj që vitin tjetër do të jetë edhe më i suksesshëm ekipi, sidomos në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Osa.
Kontribut të madh në suksesin historik të Rahovecit dhanë edhe lojtarë si Egzon Gjuka, Jon Muqolli, Jeton Bislimi, Victor Alonso, Mali Luzha, Alban Haziri e të tjerët.