Amiri dhe Albioni kanë role të ndryshme në fushën e futbollit. Amiri luan në mbrojtje, kurse Albioni në sulm. Por kanë disa të përbashkëta. E përbashkëta e tyre e parë është mbiemri - Rrahmani. E dyta, paraqitja me Kosovën, vendin ku i morën hapat e parë në futboll dhe e treta ndikimi që kanë në skuadrat e tyre, Napoli, përkatësisht Rapid Bukureshti.
Dy lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani dhe Albion Rrahmani, të mërkurën mbrëma, ishin protagonistë në fitoret e klubeve të tyre, Napolit dhe Rapidit.
Amiri e Albioni shënuan gola në fitoret e thella të skuadrave të tyre. Amiri shënoi një gol për Napolin, që fitoi në udhëtim kundër Sassuolos me rezultatin 6:1, kurse Albioni dy gola në fitoren e Rapid Bukureshtit ndaj UTA Aradit me rezultatin 4:1. Ai shënoi golin e parë në minutën e parë dhe golin e tretë në minutën e 82-të.

Amiri shënoi golin e parë në minutën e 29-të, ndërsa u vlerësua se u shënoi si të ishte sulmues.
Amiri vlerësohet prej më të rëndësishmëve te kampioni i Italisë. Goli i shënuar të mërkurën ishte i dyti në 21 ndeshjet e edicionit aktual në Serie A.
Amir Rrahmani vlerësoi fitoren e arritur.
“Këta jemi ne”, ka shkruar kapiteni i Kosovës. Amiri për Kosovën ka shënuar gjashtë gola në 54 ndeshje.
Paraqitja e Amirit u vlerësua shumë edhe nga mediumet italiane.
“Kur është nevoja, Amir Rrahmani është aty. Roli i tij është t’i shmangë golat, jo të shënojë. Por për herë të dytë këtë edicion, qendërmbrojtësi kosovar riktheu Napolin në rrugën e duhur. E kishte bërë tashmë kundër Salernitanas duke shënuar golin e fitores në minutën e 90-të dhe tash kundër Sassuolos. Një gol sikur të ishte sulmues. Goditi topin pa u menduar dy herë. Pa hezitim, i ftohtë si një numër 9 me përvojë. Topi shkoi në rrjetë dhe të gjithë përqafuan Amirin”, shkruan “ilmattino.it”.
Rruga për t’u bërë i rëndësishëm te kampioni i Italisë Napoli nuk ishte e lehtë për Rrahmanin.
Bëri disa ndalesa dhe kaloi barriera para se t’i bashkohej Napolit në vitin 2020.
Hapat e parë i mori në shkollën e futbollit “Kosova e Prishtinës”. Si senior debutoi te Ramiz Sadiku.
Pasi u paraqit për Ramiz Sadikun, Rrahmani bëri një hap tjetër para. U transferua te Drenica në Superligë për të vazhduar me hapa të tjerë të mëdhenj. Në Kroaci luajti për Splitin, Lokomotivën e Zagrebit dhe gjigantin Dinamo Zagreb.
Në vitin 2019 nga Dinamo kaloi te Hellas Verona në Serie A. U detyrua të priste rastin në klubin e Serie A. Pas paraqitjeve të mira, në janarin e vitit 2020, Rrahmani firmosi kontratë me Napolin. Edhe te Napoli shfrytëzoi rastin e dhënë dhe u bë i rregullt.
Është lojtari i parë i Përfaqësueses së Kosovës me titull të kampionit në top pesë ligat evropiane.

Titullin e synon edhe Albion Rrahmani. Albioni është ende larg nivelit të Amirit. Por ka potencial për të bërë karrierë të madhe. Vetë Albioni e synon nivelin e lartë të futbollit evropian.
“Për mua është prioritet ta ndihmoj ekipin dhe jam shumë i lumtur që mund ta bëj këtë. Shënova dy herë, por si skuadër shënuam katër gola dhe morëm tri pikë të rëndësishme. Dua të fitoj titullin dhe të jem golashënuesi më i mirë në kampionat”, ka thënë Rrahmani, pas ndeshjes për faqen zyrtare të klubit rumun.
Edhe rrugëtimi i Rrahmanit nuk ka qenë aspak i lehtë. Karrierën e ka nisur nga liga e dytë e Kosovës. Ai ishte larguar nga të rinjtë e Llapit për të luajtur te Minatori i Magures në kategorinë e tretë të futbollit kosovar, në verën e vitit 2019. Pas gjashtë muajsh te Minatori, Rrahmani në janar të vitit 2020 iu bashkua ekipit tjetër të këtij rangu, Bashkimit të Koretinit. Edhe te Bashkimi luajti vetëm gjashtë muaj për t’iu bashkuar Malishevës, ekip të cilin e ndihmoi të promovohet në Superligë, përpara se të transferohet te Ballkani. Ngritjen e madhe e bëri te Malisheva e më pas shpërtheu te Ballkani. Në gusht të vitit të kaluar, Rrahmani u shit te Rapidi për 600 mijë euro. Tani vlera e tij është rritur e po ashtu edhe interesimi nga skuadra të ndryshme evropiane.