Sport

Te Peja pranojnë nivelin e “papërballueshëm” të Championsit, synojnë më tepër në FIBA Europe Cup

Stinori i rregullt i Ligës së Kampionëve vazhdon të mbetet i paarritshëm për skuadrat e Kosovës në basketboll.

Pas Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit, edhe skuadra e Pejës ka bërë përpjekje për të siguruar daljen në stinorin e rregullt të Championsit, por u eliminua në tentimin e parë.

Peja, si kampione e Kosovës, u mposht nga ekipi i Danimarkës, Bakken Bears Aarhus, në duelin e luajtur në Belek të Turqisë, të hënën. Për Pejën kjo ishte hera e parë që u paraqit në këtë nivel të garave, ndërsa u mposht thellë nga kampioni danez, 103:79. Ndeshja i takoi çerekfinales të raundit kualifikues të Championsit, ndërsa për t’u kualifikuar në stinorin e rregullt Pejës i është dashur t’i mposhtë tre kundërshtarë. Për ekipin pejan e pakalueshme ishte pengesa e parë.

Megjithatë, Peja këtë edicion do të paraqitet në fazë të grupeve, por në nivel më të ulët. Pas eliminimit nga Championsi, skuadra e verdhë do të luajë në FIBA Europe Cup, që është niveli i katërt i garave evropiane për klube të basketbollit, pas Euroligës, Euro Cup dhe Championsit. Skuadra e Rami Hadarit do të jetë pjesë e Grupit H së bashku me Heroes Den Bosch (Holandë), Niners Chemnitz (Gjermani) dhe PGE Spojnia Stargard (Poloni).

Te Peja insistojnë se do të jenë gati për FIBA Europe Cup, me ndeshjet që zhvillohen me formatin vajtje-ardhje. Në fakt grupi i Pejës është shumë sfidues.

“Besoj se do të jemi gati për FIBA Europe Cup. Ndeshja e Championsit ishte një përvojë e mirë për ne, duke pasur parasysh se si klub u paraqitëm për herë të parë në këtë nivel të garave. Sigurisht që Bakken Bears ishte favorit duke pasur parasysh përvojën e madhe dhe cilësinë e ekipit, por ne nuk u dorëzuam dhe luftuam deri në fund. Prej fillimit e kemi pasur parasysh se do të jetë vështirë pasi nuk kemi pasur short të favorshëm. Por tani do të mendojmë të përgatitemi për garat e tjera që na presin, duke veçuar duelet e fazës së grupeve të FIBA Europe Cup, të cilat do të jenë të mirëseardhura për ne pasi do të rritemi edhe më shumë si ekip”, është shprehur Arian Qallaku, basketbollist i Pejës.

Në ndeshjen e luajtur në palestrën “Gloria Sports Arena”, ekipi danez ishte dukshëm më i mirë se Peja dhe ka dominuar plotësisht gjatë tërë ndeshjes. Çereku i parë përfundoi me shifrat 23:16 në të mirë të ekipit danez, i cili shkëputjen e madhe në rezultat e bëri në çerekun e dytë. Këtë periudhë danezët e fituan me rezultatin 25:9. Dy çerekët e fundit Peja ishte më efikase, por kjo nuk mjaftoi për të shkrirë epërsinë e Bakken Bears prej 20 pikëve. Çerekun e tretë Peja e fitoi për një pikë, 30:29, për ta humbur të katërtin, 26:24.

Jacob Calloway ishte më i dalluari te Peja. Ai ndeshjen e përfundoi me 14 pikë, 8 kërcime e 5 asistime. Me lojë të mirë u veçua edhe Tervell Beck që pati 19 pikë, por që nuk mjaftuan. Qallaku ndeshjen e përfundoi me gjashtë pikë.

Te skuadra daneze, Malik Parsons realizoi 22 pikë.

Sigal Prishtina në tri raste tentoi kualifikimin në fazën e grupeve të Championsit. Në të tri tentimet u eliminua (2017/18, 2018/19 dhe 2019/20), ndonëse sistemi i kualifikimit ishte tjetër. Prishtina është dashur ta kalonte vetëm raundin e parë kualifikues, duke e eliminuar një kundërshtar me dy ndeshje të luajtura. Vjet Ylli u ndal në çerekfinale të raundit kualifikues.

Kryetari i klubit Peja, Fatmir Gashi, pranoi se Championsi, përkatësisht stinori i rregullt, është shumë i vështirë për t’u arritur nga klubet kosovare. Ai tha se dallimi është i madh në buxhet. Gashi shtoi se te Peja e kanë pasur parasysh mundësinë e vogël që në momentin e tërheqjes së shortit.

“Realisht e kemi ditur se çfarë na pret edhe pse kemi dashur të shkojmë më larg. Por kjo është forca jonë, saktësisht e ekipeve të Kosovës në Champions. Edhe po ta kishim kaluar Bakkenin, do të përballeshim me ekipe si Galatasaray që kanë buxhet shumë më të madh. Pra, prej fillimit e kemi pasur parasysh se nuk do të jetë lehtë, por kemi dashur të luajmë si kampionë të Kosovës”, ka thënë Fatmir Gashi. “Kjo ndeshje do të na ndihmojë të përmirësohemi dhe të komponohemi edhe më shumë si ekip për edicionin që sapo ka nisur, në veçanti për FIBA Europe Cup, garë në të cilën do të luajmë në fazën e grupeve”.

Për Pejën do të jetë hera e dytë që luan në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, në të cilën ishte paraqitur në edicionin 2016/17. Ishte pjesë e Grupit H në të cilin përfundoi e fundit me një fitore në gjashtë ndeshje të luajtura ndaj kundërshtarëve si Gaziantep (Turqi), Cluj-Napoca (Rumani) e Petrolina AEK Larnaca (Qipro).

Pjesëmarrjen në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup këtë edicion e synon edhe Trepça. Ky do të jetë viti i dytë rresht që Trepça do të paraqitet në turneun kualifikues. Edicionin e shkuar Trepça nuk arriti ta fitonte turneun e organizuar në Mitrovicë, ndërsa tani do të luajë në Parnu të Estonisë. Turneu mbahet prej 3 deri më 5 tetor, ku Trepça do të ketë punë me ekipet Parnu (Estoni) dhe Tindastoll (Islandë), të cilat duhet t’i mposhtë për të qenë pjesë e stinorit të rregullt të FIBA Europe Cup.