Sport

Te Peja ka optimizëm për eliminim të kampionit

Paraqitjet e mira në xhirot e fundit para plejofit kanë bërë që te Peja të besojnë se arritja në finale, por edhe titulli i kampionit, nuk janë mision i pamundur. Peja e ka përfunduar pjesën e rregullt të edicionit në Superligën e Kosovës në basketboll në pozitën e dytë, për t’u kualifikuar direkt në gjysmëfinale të plejofit. Në gjysmëfinale Peja do të ketë punë me kampionin në fuqi, Golden Eagle Yllin. Skuadra suharekase e ka fituar titullin në dy edicionet e fundit, por te Peja ka besim se mund të kalohet Ylli për të kaluar në finale.

Ndeshja e parë gjysmëfinale mes Pejës dhe Yllit zhvillohet të mërkurën prej orës 20:30 në palestrën “Karagaçi”. Skuadra që shënon tri fitore avancon në finale.

Që nga ardhja e trajnerit Rami Hadar në krye të skuadrës, rezultatet janë kthyer në favor të Pejës. Në tetë ndeshje në Superligë nën drejtimin e izraelitit Hadar, Peja ka regjistruar po aq fitore, përfshirë këtu edhe triumfin ndaj Yllit në Suharekë me shifrat 95:75. Ky rezultat e bën Pejën të besojë edhe më shumë për ndeshjet ndaj Yllit, thotë Alban Veseli.

“Përballemi me kampionin aktual dhe duhet pranuar se çdo ndeshje do të jetë e vështirë. Sigurisht që synimi është të nisim me fitore këtë seri pasi ndeshjen e parë e luajmë në shtëpi dhe pres në përkrahjen e fuqishme të tifozëve. Mendoj se do të jemi më efikas dhe do të avancojmë nga kjo seri me sukses”, është shprehur Veseli. “Tash është faza finale e kampionatit dhe çdo skuadër ka ambicie për titull. Do të jetë një luftë e ashpër mes katër skuadrave që kanë mbetur dhe cilado që do të fitojë nuk do të jetë befasi. Mirëpo ne jemi në formë shumë të mirë dhe besoj se jemi edhe më afër titullit për një nuancë”.

Përderisa Peja po e kërkon titullin e parë që nga viti 2013 dhe të shtatin në përgjithësi, Ylli po synon ta fitojë titullin e tretë në histori të klubit.

Ylli garat e plejofit i ka nisur nga faza çerekfinale. Pjesën e rregullt e ka përfunduar në pozitën e tretë, ndërsa në çerekfinale ka eliminuar Vëllaznimin me rezultatin 2:0.

Tek Ylli presin seri më të vështirë ndaj Pejës. Peja e nisi edicionin me trajnerin turk Can Sevim, ndërsa pas largimit të tij në fillim të këtij viti bëri ndryshime edhe në lojtarët e huaj. Peja është kualifikuar edhe në “Final Four” të Ligës Ballkanike, i cili do të mbahet në fund të muajit.

Ylli ka vazhduar me trajnerin Adis Beqiragiq, që e ka udhëhequr drejt dy titujve. Suharekasit insistojnë se janë përgatitur për ta dëshmuar veten si kampionë.

“Ne tashmë e kemi kaluar pengesën e parë dhe synojmë të vazhdojmë tutje. Synimi është ta fitojmë titullin, që nuk do të jetë aspak lehtë. Peja ka ekip të fortë dhe cilësor, gjë që e ka treguar kohët e fundit. Por ne jemi përgatitur dhe të gatshëm për ta kërkuar kalimin në finale. Shpresoj të bëjmë një lojë të mirë në ndeshjen e parë dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Do të jetë një seri shumë e fortë dhe tejet emocionuese”, ka pranuar fundori amerikan Malcolm Armstead. Ai luan si vendor për Yllin.

Në serinë tjetër gjysmëfinale të plejofit do të përballen Sigal Prishtina dhe Trepça.

Gjysmëfinalja e plejofit

E mërkurë (20:30)

Peja – Golden Eagle Ylli

E enjte (20:30)

Sigal Prishtina – Trepça