Sport

Te Peja besojnë se me ndihmën e tifozëve do ta mposhtin Chemnitzin gjerman

Te kampionia e Kosovës në basketboll, Peja, optimizmi është i madh në prag të ndeshjes së radhës në kuadër të stinorit të rregullt të FIBA Europe Cup.

Të mërkurën prej orës 19:00 në palestrën “Karagaçi”, Peja e pret skuadrën e Bundesligës gjermane, Niners Chemnitz. Kjo ndeshje i takon xhiros së katërt të Grupit H, ndërsa Peja synon fitoren e tretë rresht.

Te Peja po shpresojnë t’i revanshohen ekipit gjerman për disfatën e thellë që ua shkaktoi në ndeshjen e parë, 98:82. Pas kësaj humbjeje, Peja ka mposhtur Den Boschin e Holandës dhe Spojnia Stargardin e Polonisë, për t’u ngjitur në pozitën e dytë në grup. Ka pesë pikë, një më pak se Chemnitzi, që ka tri fitore deri më tani.

Pejanët besojnë se mund ta mposhtin ekipin gjerman me paraqitje të mira sikurse në dy ndeshjet e fundit evropiane, por edhe me përkrahjen e fuqishme të tifozëve. Në skuadrën e verdhë presin atmosferë të zjarrtë në tribunat e palestrës. Fitorja ndaj Chemnitzit do të bënte që Peja t’i afrohet fazës tjetër.

Fundori Arian Qallaku ka thënë se janë përgatitur mirë dhe janë plotësisht gati për ta përballuar me Chemnitzin, ekip të cilin e ka vlerësuar lart. Basketbollisti i rëndësishëm i skuadrës ka shtuar se Peja është maksimalisht e motivuar dhe se do të dalë në parket për fitoren e radhës në Evropë .

“Jemi munduar të përgatitemi sa më mirë dhe të jemi të gatshëm për këtë ndeshje të rëndësishme. Sigurisht se duam të vazhdojmë me serinë pozitive që e kemi jo vetëm në kampionat, por edhe në FIBA Europe Cup. Synimi është të fitojmë dhe të rritim gjasat për të avancuar nga grupi. Nuk do të jetë lehtë pasi Chemnitzi ka ekip të mirë. Por me ndihmën dhe përkrahjen e madhe të tifozëve tanë mund t’ia dalim”, është shprehur Qallaku të martën.

Optimist për duelin ndaj Chemnitzit është edhe amerikani i Pejës, Jacob Calloway. Ai për KOHËN ka theksuar se qëllimi kryesor i Pejës është të paraqitet në fazën tjetër, ndërsa për ta arritur këtë patjetër duhet triumfuar ndaj Chemnitzit. Calloway ka shtuar se me përkrahjen e tifozëve mund ta fitojnë ndeshjen.

Niners Chemnitz këtë edicion paraqitje të mira po tregon edhe në Bundesligë. Ka bilanc prej pesë fitoreve dhe një disfate dhe së bashku me ekipet ALBA dhe Oldenburg prin në tabelë. Derisa Peja në radhët e veta ka gjashtë lojtarë të huaj, Niners Chemnitzi ka shtatë të huaj - katër amerikanë, dy kanadezë dhe një kenias.

Peja në Superligën e Kosovës i ka fituar të gjitha ndeshjet e deritashme. Në fundjavë e mposhti Bashkimin e Prizrenit.