Sport

Te Kosova synojnë fitoren e parë drejt kualifikimit historik

Hendboll Kosova

Hendbollistët e Kosovës i janë afruar shumë kualifikimit historik në Kampionatin Evropian të vitit 2026. Fitoren e parë drejt kualifikimit historik, hendbollistët e Kosovës synojnë ta arrijnë të mërkurën mbrëma në Torshavn të Ishujve Faroe.

Ndeshja në mes të Ishujve Faroe dhe Kosovës nis në orën 20:00 dhe i takon fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2026”.

Përzgjedhësi i Kosovës, Bujar Qerimi, thotë se atmosfera është shumë e mirë. Ai pret nga hendbollistët e tij angazhim maksimal për ta fituar ndeshjen e parë të fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2026”.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur me grupin e lojtarëve që e kemi. Kualiteti dhe konkurrenca janë ngritur në ekipin tonë dhe nuk besoj që pas ndërrimit të lojtarëve do të bjerë niveli i lojës”, ka thënë Qerimi të martën.

Kosova të hënën udhëtoi për në Ishujt Faroe. Ka zhvilluar përgatitjet para ndeshjes kundër Ishujve Faroe .

Pas Ishujve Faroe, Kosova do të përballet edhe me Holandën Për të dy ndeshjet Kosovës i janë kthyer dy vëllezërit, Drilon e Drenit Tahirukaj, ndërsa për herë të parë është ftuar Lionel Mirdita. Ndeshjen kundër Holandës, Kosova e luan më 10 nëntor në Prishtinë ndaj Holandës. Në grupin e gjashtë, së bashku me Holandën dhe Ishujt Faroe, është edhe Ukraina.

“Pas këtij rrugëtimit të gjatë lojtarët kanë qenë jashtëzakonisht pozitivë në gjithçka që kemi bërë këto dy ditë. Lodhja ka qenë e madhe, por atmosfera në ekip është e jashtëzakonshme. Nuk kemi ndonjë problem të madh në lëndime”, është shprehur Qerimi.

Seleksionuesi i “Dardanëve” vlerëson lart kundërshtarin. Thotë se Ishujt Faroe janë përfaqësuese e fortë. Ishujt Faroe garuan në Evropianin e këtij viti. Por nuk e kaluan grupin. Ndonëse përfunduan në vendin e fundit në grup me Slloveninë, Norvegjinë dhe Poloninë, Ishujt Faroe u vlerësuan për paraqitje në Evropianin e zhvilluar në Gjermani.

“Kundërshtari është i papërshtatshëm. Nuk kanë gjatësi të madhe, mirëpo ne kemi ngritur kualitetin e lojtarëve tanë me lojtarët që luajnë në klube të ndryshme në Evropë dhe pres të kemi një rezultat jashtëzakonisht pozitiv. Duhet ta presim ndeshjen, por jam shumë optimist për rezultatin në këtë ndeshje”, ka theksuar Qerimi.

Dy vendet e para në grup kualifikohen në Evropian, ndërsa kualifikimin e sigurojnë edhe katër përfaqësueset më të mira të pozitës së tretë, prej tetë grupeve sa janë gjithsej.