Sport

Te Kosova në hendboll e shohin sfidues grupin, por të kalueshëm

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ka mësuar kundërshtarët e fazës kryesore të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit 2026. Ukraina, Ishujt Faroe dhe Holanda janë kundërshtarët e Kosovës në Grupin 6.

Në fakt, Kosova mund të kishte përballje me Serbinë, nëse do të lejohej nga Konfederata Evropiane e Hendbollit (EHF).

Shorti përcaktoi që Serbia të vendosej në Grupin 6, ku ishte Kosova. Por shorti u përsërit dhe Serbia më pas ra në Grupin 4. EHF-ja nuk lejon duelet e Kosovës me Serbinë.

Në Federatën e Hendbollit të Kosovës e kanë cilësuar sfidues shortin. Por pritjet janë për një vend që siguron kalimin tutje.

“Grupi është sfidues, por Kombëtarja jonë e synon kualifikimin historik në Evropian”, shkruan në njoftimin e FHK-së.

Ndërkohë sekretari i FHK-së, Izet Gjinovci, thotë se përballjet kryesore janë kundër Ishujve Faroe.

“Realisht shorti është i vështirë, por ka gjasa të kualifikohemi. Për vend të parë nuk besoj se mund të arrijmë, por të dytin dhe të tretin. Sipas mendimit tim, përballjet me Ishujt Faroe janë ndeshjet kryesore. Presim që të kemi përkrahje gjatë këtij rrugëtimi tonë në ndeshjet si vendas. Uroj t’i kemi edhe lojtarët në formën optimale”, ka thënë Gjinovci për KOHËN.

Sekretari Gjinovci së bashku me drejtorin për marrëdhënie me jashtë dhe i ekipeve kombëtare, Muhamet Arifi kanë qenë të pranishëm në tërheqje të shortit.

“Shorti është i mirë. Besoj qe kemi gjasat shumë të mira për kualifikim. Holada janë tjetër nivel, por Ishujt Faroe dhe Ukraina janë kundërshtar të njëjti nivel me ne. Shpresojmë të shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta realizojmë ëndrrën tonë që të arrijmë të kualifikohemi në Evropian”, ka thënë pivoti i Kosovës, Kastriot Jupa për KOHËN.

Evropiani i ardhshëm për hendbollistë mbahet në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji, përfaqësueset e të cilave vende kualifikohen direkt. Njëjtë është kualifikuar vetëm edhe kampionia në fuqi, Franca. Përmes kualifikimeve përcaktohen 20 përfaqësueset e tjera. Pra prej 32 përfaqësueseve pjesëmarrëse kualifikohen 20. Kualifikimet zhvillohen në tetë grupe me nga katër përfaqësuese. Në Evropian shkojnë përfaqësueset e vendeve një e dy në secilin grup, si dhe katër përfaqësueset më të mira të vendit të tretë.

Kosova ishte e parafundit në vazon e fundit, përkatësisht të katërt.

Dy xhirot e para zhvillohen në nëntor të këtij viti, dy të tjera në mars të vitit të ardhshëm e dy në maj të vitit të ardhshëm.

Kosova u kualifikua për këtë fazë garash pas suksesit në raundin promovues. Në janar, hendbollistët e Kosovës i fituan dy ndeshjet me Britaninë e Madhe për të bërë vend në kualifikimet e rregullta. Në Prishtinë, ndeshja kishte përfunduar 30:22 për Kosovën, ndërsa në derbi “Dardanët” kishin fituar 29:23.

Kosova ka tashmë tri paraqitje në kualifikimet e rregullta. Ka arritur disa fitore të mëdha, sidomos ajo me Rumaninë, por pa avancuar. Tani synon kualifikimin e parë në Evropian.