Sport

Te Kosova kanë shpresë për kualifikim historik në Evropian

Hendboll

Një prej hendbollistëve më të mirë të Kosovës, Kastriot Jupa, i vlerëson të fortë kundërshtarët e fazës kryesore kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2026. Por, Jupa thotë se kanë shpresë për kualifikim historik.

“Kemi përballë dy kombëtare shumë të forta, por jemi shumë optimistë që mund të arrijmë sukses historik dhe të kualifikohemi më në fund në një Kampionat Evropian. Fatmirësisht jemi të gjithë lojtarët në dispozicion të trajnerit. Jemi të gatshëm për të luftuar për një synim të vetëm – kualifikimin. Do të përgatitemi maksimalisht për ta arritur këtë qëllim. Është ëndërr e të gjithë lojtarëve të paraqitemi në një ngjarje të madhe. Jemi afër këtij qëllimi dhe uroj të na bëhet ëndrra realitet”, ka thënë Jupa të enjten për KOHËN.

Jupa është njëri prej 16 lojtarëve që do ta kenë barrën kryesore për ndeshjet kualifikuese për “Euro 2026”.

Lista prej 16 lojtarëve u publikua të enjten nga përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Bujar Qerimi.

Kosova në muajin e ardhshëm do t’i zhvillojë dy ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2026. Do të përballet me Ishujt Faroe dhe Holandën. Për dy ndeshjet e muajit të ardhshëm, Kosovës i kthehen dy vëllezërit, Drilon e Drenit Tahirukaj, ndërsa për herë të parë është ftuar Lionel Mirdita.

Kosova të hënën udhëton për në Ishujt Faroe. Do t’i zhvillojë katër seanca stërvitore para ndeshjes, të cilën e luan ndaj Ishujve Faroe në Torshavn më 6 nëntor, ndërsa më 10 nëntor përballet në Prishtinë ndaj Holandës. Në grupin e gjashtë, së bashku me Holandën dhe Ishujt Faroe është edhe Ukraina.

“Grupi është sfidues, por Kombëtarja jonë e kërkon kualifikimin historik në Evropian”, shkruan Federata e Hendbollit e Kosovës.

Dy vendet e para në grup kualifikohen në Evropian, ndërsa kualifikimin e sigurojnë edhe katër përfaqësueset më të mira të pozitës së tretë prej tetë grupeve sa janë gjithsej.