Intensiteti ishte i lartë dhe atmosfera ishte e mirë në stërvitjen që Përfaqësuesja e Kosovës e mbajti të martën paradite në kampin nacional të FFK-së në Hajvali.
Selektori Primozh Gliha i vëzhgonte futbollistët nga afër derisa ata po kryenin nxehjet. Kjo ishte stërvitja e dytë e përfaqësueses që është grumbulluar të hënën. Kosova mbajti të hënën një stërvitje të paparalajmëruar, e cila ishte më shumë rigjeneruese. Të martën u punua me intensitet më të lartë dhe selektori Gliha punoi edhe në aspektet tekniko-taktike para duelit me Andorrën.
Slloveni Gliha kishte në dispozicion të gjithë lojtarët, me përjashtim të Mërgim Vojvodës dhe Edon Zhegrovës. Vojvoda ende nuk i është bashkuar ekipit për shkak të ftesës së vonshme shkaku i mungesave, ndërsa Zhegrova nuk dihet nëse do të jetë i gatshëm për lojë. Ai është lënduar në ndeshjen e fundit me Lillen dhe te Kosova janë në pritje të raportit mjekësor për të parë nëse Zhegrova mund të jetë pesë e “Dardanëve”.
Përfaqësuesja të mërkurën në mëngjes do të marrë rrugën drejt Andorrës, ku do ta luajë ndeshjen kualifikuese për “Euro 2024”. Ndeshja Andorrë – Kosovë zhvillohet të enjten prej orës 20:45 dhe i takon Grupit I. Kosova ende nuk ka fitore në këtë cikël eliminator dhe në përfaqësuese janë optimistë se do të marrin trepikëshin e parë. Tri pikë i pret sulmuesi Albion Rrahmani, i cili është pjesë e Rapidit të Bukureshtit. Rrahmani pritet të jetë titullar në këtë ndeshje duke pasur parasysh se është sulmuesi i vetëm që selektori Gliha e ka në dispozicion. Vedat Muriqi, i cili ishte i pranishëm në stërvitje, nuk do të luajë ndaj Andorrës për shkak të suspendimit, ndërsa Shkëlqim Vladi nuk është grumbulluar fare me arsyetimin se është i lënduar.
Albion Rrahmani muajin e shkuar debutoi te Kosova, në ndeshjen ndaj Rumanisë, dhe formën e shkëlqyer te Rapidi beson se do ta shfaqë edhe ndaj Andorrës. Deri më tani ai ka shënuar gjashtë gola për skuadrën rumune, së cilës iu bashkua nga Ballkani.
“Gjendja e ekipit është jashtëzakonisht e mirë. Shpresoj se të gjithë bashkëlojtarët të jenë në 100 për qind. Na pret një ndeshje e vështirë, por besoj që me kualitetin që kemi do të marrim rezultatin pozitiv dhe pse jo tri pikë. Është ndjenjë e veçantë ta kesh barrën kryesore te kombëtarja, të cilën e kam ëndërruar me vite që të jem pjesë e saj. Jam shumë krenar që tashmë do të kem hapësirë që ta ndihmoj kombëtaren. Besoj që në këtë ndeshje të shënoj dhe ta ndihmoj ekipin. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Unë do ta lë shpirtin në fushë për këtë fanellë, sepse është nder dhe krenari ta kesh në trup”, ka thënë Rrahmani.
Optimizmin para ndeshjes me Andorrën e ka shprehur edhe mesfushori i Ballkanit, Qëndrim Zyba. Zyba është ftuar për herë të parë te Kosova dhe është njëri prej tre lojtarëve të Superligës që kanë marrë ftesë nga selektori Gliha. Pjesë e Kosovës janë edhe Lumbardh Dellova i Ballkanit e Ilir Krasniqi i Llapit.
Për shkak të mungesave dhe sidomos për shkak të opsioneve të limituara në mesfushë, Zyba mund të ketë minuta ndaj Andorrës.
“Më të vërtetë është një prej ëndrrave që kam pasur që nga fëmijëria dhe më është realizuar. Çdo moment që i duhemi shtetit tonë jemi në gjendje për të dhënë më të mirën tonë. Falë Zotit jam në një formë mjaft të mirë dhe shpresoj që me atë që di të bëj më së miri, ta ndihmoj ekipin nëse më jepet mundësia. Djemtë janë të shkëlqyeshëm. Ata na kanë pritur shumë mirë neve që jemi më të rinj dhe i falënderoj shumë sepse na kanë afruar shumë shpejt në grup”, ka thënë Zyba.
Ai tashmë është prej bartësve të lojës së Ballkanit që po paraqitet në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Zyba aktualisht është i përkushtuar te përgjegjësia që mund ta ketë te Kosova.
“Çdo kundërshtar është i vështirë, por ne do të japim maksimumin dhe do t’i bëjmë detyrat që na cakton trajneri. Patjetër duhet të shkojmë për fitore”, ka thënë Zyba.
Pas gjashtë xhirove të zhvilluara në kualifikimet për “Euro 2024”, Kosova ka regjistruar katër barazime dhe dy humbje. Zë vendin e parafundit në grup me katër pikë, dy më shumë se Andorra që është e fundit. Ndeshja e parë mes Kosovës dhe Andorrës, e zhvilluar në muajin mars në Prishtinë, ka përfunduar me rezultatin 1:1.