Sport

Te Drita shpresojnë në suksesin e madh - eliminimin e Plzenit

Trajneri i Dritës, Akis Vavalis, e ka parasysh forcën e Viktoria Plzenit dhe pranon se ekipi i madh nga Çekia është favorit edhe në ndeshjen e kthimit.

Mirëpo, trajneri grek insiston se Drita është plotësisht gati për përballje tjetër të vështirë me Plzenin, pas barazimit 0:0 në duelin e parë të zhvilluar javën e shkuar në Çeki. Në konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën, Vavalis tha se synimi i madh i Dritës është ta mposhtë dhe ta eliminojë Plzenin për të avancuar në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Dueli i kthimit i raundit të dytë kualifikues ndërmjet Dritës dhe Plzenit zhvillohet të enjten prej orës 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Sipas Vavalisit, ndeshja në Prishtinë do të jetë edhe më e fortë se ajo në Çeki.

“Sigurisht se synimi i madh është të kualifikohemi në raundin e tretë dhe ta fitojmë këtë ndeshje, qoftë gjatë 90 minutave, vazhdimeve apo penalltive. Por, më e rëndësishmja është të luftojmë dhe të mos dorëzohemi deri në fund për të arritur synimin, pra të eliminojmë Viktorian, qoftë duke u mbrojtur apo sulmuar dhe dominuar ndeshjen”, ka thënë Vavalis.

Vavalis thotë se Drita duhet ta shfrytëzojë përparësinë e terrenit, si dhe përkrahjen e fuqishme të tifozëve. Ai pret që tribunat të jenë të mbushura. Thotë se kjo do ta ndihmojë edhe më shumë dhe do t’i japë shtysë Dritës në arritjen e synimit.

“Përballemi për herën e dytë brenda një jave me Plzenin dhe do të jetë një lojë i vështirë. Pres që kjo ndeshje të jetë edhe më e vështirë se e para në Çeki. Atje morëm një rezultat të mirë, por kjo nuk do të thotë asgjë pasi kemi edhe 90 minuta të tjerë. Do të luftojmë për të shfrytëzuar rastet tona dhe pres një paraqitje të mirë të ekipit sikurse në ndeshjen e parë”, është shprehur Vavalis. “Plzeni do të jetë favorit edhe në këtë ndeshje, por ne kemi përparësi për shkak të terrenit dhe mbështetjes së madhe të tifozëve, të cilët do të na përkrahin nga minuta e parë deri në fund të ndeshjes për të dhënë gjithçka nga vetja”.

Vavalis insistoi se Drita do të japë maksimumin nga vetja, por është i vetëdijshëm se përballë kanë një ekip që edicionin e shkuar luajti në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve dhe tregoi paraqitje të mira kundër ekipeve të mëdha, si Interi, Barcelona e Bayern Munichu. Trajneri i skuadrës gjilanase pret që Plzeni do të dalë në fushë për fitore, duke pasur parasysh formën e dobët që ka treguar në kampionatin e Çekisë. Mirëpo Vavalis insiston se ekipi i tij do të bëjë të pamundurën për të qenë i barabartë në çdo aspekt në fushë.

Mesfushori Muharrem Jashari ka theksuar se Drita është përgatitur mirë dhe është gati për sfidën e radhës me Plzenin. Jashari ka thënë se ka ardhur koha që Drita të eliminojë një kundërshtar të madh në garat evropiane.

Në dy edicionet e kaluara Drita ishte eliminuar në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, fillimisht nga Feyenoordi dhe pastaj nga Antwerpi i Belgjikës. Sipas Jasharit, barazimi pa gola në Çeki ka shtuar optimizmin dhe motivin në ekip për avancim në raundin e tretë.

“Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen kthyese pas rezultatit pozitiv që e morëm në duelin e parë. Kemi punuar mirë dhe besoj se gabimet e ndeshjes së parë i kemi eliminuar. Kështu që shpresoj të marrim një rezultat pozitiv dhe të avancojmë tutje. Kemi vetëbesim dhe mendoj se ka ardhur koha që të mposhtim një ekip të madh siç është Viktoria Plzen”, ka thënë Jashari.

Stërvitjen e fundit para ndeshjes me Plzenin, skuadra e Dritës e ka mbajtur në Drenas.

Në Plzen, skuadra çeke kishte dominuar plotësisht, por pa konkretizuar rastet. Në fund Drita lëshoi rast të artë për fitore.